Një punonjës i IKMT-së në Vlorë është vënë në pranga sot pasi akuzohet për shpërdorim detyre. Policia bën me dije se 32-vjeçari me detyrë inspektor te IKMT ka favorizuar dhe lejuar persona të ndryshëm të kryejnë ndërtime pa leje, kryesisht në zonën e Ksamilit.
“Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për një tjetër punonjës të IKMT Vlorë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacionit policor të koduar “Mjegulla”, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridisksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Sarandës, më datë 20.10.2023, për shtetasin:
-M. A, 32 vjeç, me detyrë inspektor i IKMT Vlorë (përgjegjës për territorin e bashkisë Sarandë).
Ky shtetas akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm, për të kryer ndërtime pa leje, në territorin e bashkisë Sarandë, kryesisht në zonën e Ksamilit.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thotë policia.