Një 56-vjeçar, Neim Arapi, përgjegjës i Policisë Bashkiake, është arrestuar nga policia pasi shiste ushqime produkte të skaduara në një dyqan pranë shkollës në Konispol.
Policia raporton se në një subjekt tregtar, i cili ushtronte aktivitetin brenda perimetrit të sigurisë së një shkolle të mesme në Konispol, pronari i këtij subjekti shiste mallra të kontrabanduara.
”Sherbimet e Komisariati të Policisë Sarandë, në zbatim të planit të masave të hartuar në funksion të Paketës së Sigurisë në shkolla, kanë ushtruar kontrolle në afërsi të shkollave, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.
Gjatë kontrolleve, në një subjekt tregtar që ushtronte aktivitetin brenda perimetrit të sigurisë së një shkolle të mesme, në Konispol, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se pronari i këtij subjekti shiste mallra të kontrabanduara, një pjesë e madhe e të cilave përbënin rrezik për shëndetin e nxënësve dhe të qytetarëve të tjerë, sepse iu kishte kaluar afati i konsumimit.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimit e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë pronarin e dyqanit, shtetasin Neim Arapi 56 vjeç, banues në Konsipol, me detyrë përgjegjës i Policisë Bashkiake Konispol.
Nga verifikimet ka rezultuar se ky shtetas duke përdorur detyrën, ka ndikuar për të shmangur kontrollet në subjektin ku shiteshin produkte pa faturë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan produkte të ndryshme ushqimore të kontrabanduara dhe të skaduara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.”, shkruhet ne njoftimin e policise.