Kjo dorë e vogël që përkëdhel foton në fjalë, është e Jarisa Haxhiajt, 6 vjeçares nga Këlcyra. Jarisa e vogël, përshëndeti të ëmën në fotografi pak para se të nisej për në shkollë në ditën e parë të saj.
Prej një viti i gjysmë, Jarisës i mungon e ëma. Tumori i mori jetën Kimete Haxhiajt në moshën 39 vjeçare duke lënë pas vetes një mal të tërë me halle dhe vuajtje shëndetësore për familjarët e vet. Jarisa sot u çua herët në mëngjes nga gëzimi pasi do të shkonte në klasën e parë.
Me gëzim çantën e mbushi me libra dhe nën shoqërinë e të atit të saj, u nis drejt shkollës 9-vjeçare “Kamber Bënja” në qytetin e Këlcyrës. Jarisa ka një vëlla 12 vjeçar Jurgenin i cili sivjet u hodh në klasë të gjashtë. Por ndryshe nga Jarisa, ai nuk dëshironte të dilte para kameras për shkak të emocioneve dhe dhimbjes që ndjente për të ëmën që i mungon prej një viti e gjysmë. Familja e Dritan Haxhiajt përbëhet nga katër anëtarë, ai vetë dhe dy fëmijët, si dhe e ëma e moshuar Dudie Haxhiaj.
Familja jeton në një shtëpi përdhese në periferi të Këlcyrës pronari i të cilës u’a ka lënë në ruajtje pa u marrë asnjë kokër leku. Gjendja e tyre ekonomike është në pikë të hallit. Të ardhurat e vetme janë 20 mijë lekë, ku më shumë se gjysma e tyre shkojnë për barnat e Dudies dhe të Dritanit. Ky i fundit 40 vjeçar ndonëse me status invalidi, mundohet të gjejë lart e poshtë ndonjë punë në të zezë për të siguruar bukën e kalamajve. Një dramë e vërtetë, një situatë migjeniane.
Jarisa e vogël sot u nis pa ushqim në shkollë. Gjyshja e saj nuk mundi dot t’i jepte qoftë edhe një kore bukë pasi nuk kishte. Fëmijët konsumojnë ushqim vetëm një herë në ditë ndërsa kur e shprehin urinë, gjyshja i gënjen duke i vënë në gjumë se një ditë e re do të lindë me bollëkun e premtuar. Derimë tani askush nga Bashkia e Këlcyrës nuk e ka trajtuar këtë familje, përvecse 2 mijë lek në muaj për të dy fëmijët në statusin e jetimit. Gjyshja hap frigoriferin ku të vetmet produkte janë shurupët dhe ilacet e saja dhe të djalit, ushqime as që bëhet fjalë. Deri më tani askush nuk e ka hedhur vështrimin ndaj tyre.