Në Athinë, një atentat ka ndodhur mbrëmjen e djeshme me dy të plagosur. Ngjarja zuri vend në lagjen “Ampelokipi” pas ores 20.00, jashtë shkollës së Panormou në Athinë.
Policia greke është njoftuar për të shtëna me armë dhe pasi ka shkuar në vendngjarje nuk ka gjetur asgjë.
Por, pak më pas, është njoftuar nga spitali për dy të plagosur, një 20-vjeçare greke me plagë në kofshën e djathtë dhe një shtetas shqiptar 32-vjeçar me plagë në shpatull.
Sipas vajzës, të dy nuk njihen me njëri-tjetrin, kanë qenë duke kaluar pranë vendit të ngjarjes dhe në veçanti pranë një parku në kryqëzimin e rrugës Panormos dhe Larisis, kur janë goditur.
Në vendngjarje, policia deri më tani nuk ka gjetur gëzhoja. 32-vjeçari shqiptar rezulton i arrestuar si anëtar i një organizate kriminale droge dhe ka qenë me masë sigurimi “detyrim paraqitje”. Ai quhet Jorgo Zeneli, alias Rafaelo Tona, 32 vjeç nga Morava e Korçës. Ka qënë shpërndarës droge, dy herë i deportuar
Oficerët e Sigurimit përmes kamerave në zonë dhe dëshmitarëve u përpoqën të përcaktojnë rrugën e të armatosurit për të arritur në gjurmët e tij, ndërsa përmes profilit të shqiptarit verifikuan të kaluarën e tij.