Finalizohet operacioni policor i koduar “Destinacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit.
Transportonin në mënyrë të organizuar, me automjet dhe duke mbikëqyrur rrugën, 8 emigrantë, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Sekuestrohen 2 automjetet, 5 celularë dhe një shumë parash (në euro dhe në lekë) e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Tepelenë, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të transportimit të disa emigrantëve, në mënyrë të organizuar, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Destinacionin”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:
Ardit Laushka, 28 vjeç, Gilberto Mako, 34 vjeç dhe Besmir Papa, 38 vjeç, të tre banues në Tiranë.
28-vjeçari u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Tepelenë-Memaliaj”, teksa transportonte me automjet, 8 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, ndërsa 2 shtetasit e tjerë u kapën teksa lëviznin me një automjet tjetër dhe mbikëqyrnin rrugën, për të shmangur patrullat e Policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet, 500 euro dhe 25000 lekë të dyshuar të përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 5 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.