Juventusi nuk do të luajë në Conference League në sezonin e ri futbollistik, 2023/2024. UEFA përfundimisht ka vendosur të përjashtojë “Zonjën e Vjetër” për një sezon nga kupat e Europës për shkak të thyerjes së rregullave me fitimet kapitale.

Bardhezinjtë nuk do të jenë pjesë e Ligës së Konferencës, por do të zëvendësohen nga ekipi violë i Fiorentinës. Përjashtimi nga Europa nuk është i vetmi dënim që do të rëndojë mbi ekipin torinez, pasi Juves do ti duhet të shlyejë një gjobë prej 20 milionë eurosh të vendosur nga UEFA, 10 prej të cilave me kusht.

Në Torino, prej javësh ishin gati të hiqnin dorë nga Europa këtë sezon, një vendim i pranuar me qetësi, duke qenë se nga pikëpamja ekonomike nuk është një humbje serioze.

DEKLARATA e UEFA-s

Gjatë sezonit 2022/23, Dhoma e Parë e CFCB, e kryesuar nga Sunil Gulati, hapi hetime ndaj Juventusit (ITA) dhe Chelsea FC (ING) për shkelje të mundshme të rregulloreve të UEFA-s për Licencimin e Klubeve dhe rregulloret e Fair Play Financiar. CFCB arriti në përfundimin se Juventusi (ITA) shkeli kuadrin rregullator të UEFA-s dhe shkeli marrëveshjen e nënshkruar në gusht 2022. Si rezultat, CFCB ndërpreu marrëveshjen e lidhur me klubin dhe vendosi:

  • të përjashtojë Juventusin nga gara 2023/24 e UEFA-s për klube për meshkuj;
  • të vendosë një gjobë shtesë prej 20 milionë euro për klubin. Nga kjo shumë, 10 milionë euro janë të kushtëzuara dhe do të aplikohen vetëm nëse pasqyrat financiare vjetore të klubit për vitet financiare 2023, 2024 dhe 2025 nuk përputhen me kërkesat e kontabilitetit të përcaktuara në Shtojcën G të Rregullores financiare të UEFA-s për Licencimin dhe Qëndrueshmërinë e Klubeve.