Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e së dielës në fshatin Resulaj në Vlorë, ku Eqerem Zykaj 80 vjeç dhe gruaja e tij, Mynyre Zykaj 75 vjeçe, teksa ishin duke ujitur në arë, dyshohet se kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë kanë ndërruar jetë.
Disa nga fqinjët e tyre kanë folur për mediat, të cilët theksuan se teli i energjisë elektrike ishte i këputur.
“Është këputur teli që dje, iu thashë merr elektriçistin se do të zejë korenti. Nuk di gjë tjetër, dje kam ardhur në orën 12.
Sot u nisa, shkonim ditë për ditë te njëra-tjetra, më tha do vij sot dhe nuk erdhi. Një grua dhe një burrë në punën e tyre, të vdesin nga korenti, nuk e di, kjo lagja jonë është e vdekur.
Ne vuajmë për drita, pa rrugë, pa ujë, pa drita. Kemi qenë 3 ditë pa drita, kemi marrë në telefon, e lidhim me alumin atë, një masë të bëjë, këputet. Ne çdo ditë jemi pa drita”, shprehen ata.