Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00. Haxhi Çollaku kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes së tij, por kishte urdhër ndalimi nga policia për të mos u afruar. Ish-gruaja e 55-vjeçarit ka njoftuar policinë dhe kur karabinierët kanë shkuar në vendngjarje, ai ka përplasur me furgon një efektive italiane.
Më pas e ka kërcënuar me thikë teksa ajo qëndronte e shtrirë në tokë. Por një nga kolegët e saj, e ka qëlluar shqiptarin për vdekje.
Karabinierët i kanë bërë thirrje Çollakut të largohej, por ai ka reaguar ashpër ndaj tyre.
Fillimisht është futur në makinë dhe policët kanë menduar se do të largohej.
Por në vend të kësaj, ai i ka dhënë gaz furgonit dhe ka goditur efektiven e policisë, duke i shtypur këmbët.
Ajo kishte mbetur e bllokuar mes dy automjeteve dhe 50-vjeçari duke mos u mjaftuar me kaq, ka zbritur nga furgoni dhe iu është afruar me thikë efektives që bërtiste nga dhimbjet
Në këtë moment, kolegu i saj ka qëlluar 4 herë në drejtim të shqiptarit duke e goditur në këmbë dhe bark.
Ish-gruaja e tij dhe vajza 23-vjeçare kanë parë skenën të tmerruara pa mundur të bëjnë dot asgjë.
Çollaku ndërroi jetë në spital pak pas orës 17:00.
Autoritetet italiane kanë lëshuar më parë një urdhër ndalimi për viktimë që të mos i afrohej banesës së ish-bashkëshortes së tij.