Mbi 30% të aksidenteve rrugore shkaktohen nga këmbësorët dhe drejtuesit e biçikletave, duke mos respektuar sinjalistikën rrugore.
Keshtu shprehet specialist i qarkullimit rrugor, Gerhard Baka, ku shton se ky fenomen është shqetësues dhe se kjo kategori nuk gjobitet.
“Mbi 30% të rasteve kemi të përfshirë në një ngjarje rrugore me ose pa pasojë, këmbësorin apo çiklistin. Ky është një fenomen shqetësues në lidhje me sigurinë rrugore. Ka mungesë në ndëshkimin e shkaktarëve të tjerë të ngjarjeve rrugore apo të burimit të aksidenteve, siç mund të jenë këmbësorët apo edhe çiklistët, motomjetet që janë të pa targuara, siç janë skuterat elektrik në këtë rast”.
Baka shpjegon se gjobat që mund t’u vendosen këmbësorëve apo çiklistëve dalin nul, pasi është e pamundur vjelja e tyre.
“Problematika qëndron te velja e masës administrative sepse nuk ka një akt nënligjor për të përcaktuar mënyrën e vjeljes së gjobës qëmund t’i vendoset një këmbësori që nuk respekton rregullat e qarkullimit rrugor. Kjo na sanksionon dhe na detyron neve që të merremi vetem me pjesën e sensibilizimit të këtyre kategorive”.
Ai thotë se numri më i lartë i aksidenteve që shkaktohet nga kjo kategori përdoruesish të rrugës, ndodhin në zonat e banuara.
“Në raste të rralla mund të kemi përfshirjen e një çiklisti në ngjarje rrugore në interurbane. Ndërsa në qendrat e banuara në kryeqytet dhe në qendrat e banuara dytësore janë të shpeshta rastet kur kjo kategori përfshihet në ngjarje rrugore”.
Pak ditë më parë në Lezhë dhe në Kavajë, dy të moshuar u përplasën për vdekje teksa udhëtonin me biçikletë.