Një 20 vjeçar i shpallur në kërkim nga policia e Gjirokastrës është arrestuar ditën e sotme.

I riu Gledis Cara, në datë 2 qershor braktisi automjetin që drejtonte të mbushur me 5 emigrantë të paligjshëm të cilët tentoi t’i transportonte drejt Tiranës në këmbim të shumave të parave.

Në vendin e quajtur ‘Kthesa e Memaliaj’, pasi ka parë praninë e policisë, 20 vjeçari ka braktisur automjetin duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

DVP Gjirokastër

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Kapet dhe vihet në pranga një 20-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim pasi tentoi të transportonte me automjet, kundrejt fitimit, emigrantë të paligjshëm, drejt Tiranës.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me DVP Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në inteligjencën informative, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit G. C., 20 vjeç, banues në Durrës.

20-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 02.06.2023, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, në vendin e quajtur “Kthesa e Memaliaj”, pasi ka konstatuar shërbimet e policisë, ka braktisur automjetin tip “Volkswagen”, me të cilin po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.