Dyshohet se një 46-vjeçar mund ta ketë marrë aksidentalisht rrjedha e lumit Shkumbin.
Alarmin e ngriti vëllai i tij, pasi njoftoi sallën operative se vëllai i tij, 46-vjeçari me iniciale B.P. gjatë mbrëmjes së 20 Qershorit ka qenë duke punuar një sipërfaqe toke buzë lumit Shkumbin dhe që atëherë nuk ishte kthyer në banesë.
Familjarët e 46-vjeçarit kanë dyshime se gjatë kohës që ka tentuar për të kaluar në krahun tjetër të lumit për t’u kthyer në banesë, atë mund ta ketë marrë rrjedha e ujit të lumit Shkëmbin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së bashku me familjarët, kanë nisur kërkimet përgjatë shtratit të lumit Shkumbin.
Gjithashtu, krahas shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, janë angazhuar edhe polumbarët e Repartit Special RENEA, të cilët vijojnë kërkimet në të gjithë rrjedhën e lumit, me qëllim gjetjen e trupit të 46-vjeçarit.