Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e informacioneve të sigurura nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka regjistruar procedimin penal 10/1 të vitit 2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 260 dhe 245 të Kodit Penal.
Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, u krijuan dyshime se shtetësja J. D., me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë, për të favorizuar një Operator Ekonomik. Këto vlera monetare u dhanë nga shtetësja L. Sh., me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.
Gjithashtu në zyrën e Sekretares së Përgjithshme u bë e mundur edhe sekuestrimi në cilësinë e proves materiale të shumës prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë (shumë e cila përbën përftimin e parregullt të dhënë nga shtetësja L. Sh.).