2000 Euro në këmbim të lirisë, ose në të kundërt do të gjej kudo të jesh.
Me këto fjalë e ka kërcënuar efektivi i policisë, Sokol Canameti një 22-vjeçar me inicialet E.K në Tiranë, të vënë në hetim për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Ngjarja ka ndodhur në Tetor të 2022, ndërsa hetimet e SPAK kanë gjetur fajtor nënkomisarin, Canameti tashmë të vënë në pranga. Ai akuzohet për “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Ndërsa është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për 22-vjeçarin, dhe babain e tij 51-vjeçar me inicialet F.K.
Ky i fundit është vënë në dijeni të këtij fakti nga i biri, dhe në këtë situatë ka siguruar shumën prej 2000 Eurosh përmes njohjeve të tij dhe ja ka dhënë efektivit më 10 Tetor 2022.
Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se 48-vjeçari, Sokol Canameti në kohën kur ka kryer këtë vepër penale për të cilën dyshohet ka qenë me detyrë specialist në seksionin kundër narkotikëve në Policinë e Tiranës, ndërsa prej disa muajsh ishte trensferuar në komisariatin numër 6 në kryeqytet.