Autorit të plagosjes së trefishtë në Laprakë të Tiranës, Altin Mergjyshi (Deda), i cili njihet edhe me emrin Elton, i janë vënë prangat këtë të martë pasi u vetëdorëzua në polici.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin Altin Mergjyshi (Deda), 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi mbrëmjen e djeshme, në ambientet e një lokali, në rrugën “Riza Cuka”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasit Masimo Sorvillo, 44 vjeç, Roxhersa Rrapollari, 40 vjeçe dhe Viktor Rrapollari, 63 vjeç, të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
47-vjeçari Mergjyshi plagosi me thikë pasditen e së hënës italianin Masimo Sorvillo, bashkëshorten e tij 40-vjeçare, Roxhersa Rrapollari dhe babain e saj, 63-vjeçarin Viktor Rrapollari. Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal dhe dyshohet se shkak është bërë pushimi nga puna nga pronari italian. Dëmtimet më të rënda i mori 63-vjeçari Viktor Rrapollari.
Në deklarimet paraprake, Mergjyshi ka pretenduar se italiani e kishte hequr pa të drejtë nga puna. Sipas tij, kur ka kaluar tek lokali, tre të plagosurit e kanë provokuar dhe për pasojë i ka goditur më pas.
“U takuam për të diskutuar rreth mosmarrëveshjeve që kishim me njëri-tjetrin kohët e fundit. Kam qenë i punësuar pranë biznesit të Massimos, dhe më shkarkoi nga puna, përveç kësaj më kishte edhe disa detyrime financiare. Ai nuk e njohu detyrimin, debatuam, në konflikt e sipër, duke u përplasur edhe fizikisht, ndërhynë edhe vjehrri i tij me të bijën, nxora thikën dhe iu drejtova Massimos. Në përleshje e sipër mbetën të plagosur edhe bashkëshortja e tij Rigera Rrapollari dhe i ati Viktori”.
Kurse viktimat kanë treguar se autori Elton Mergjyshi kishte sapo shkuar te lokali ku ndodheshin, fillimisht ka debatuar me italianin duke i kërkuar llogari pse e kishte hequr nga puna.
Në debat e sipër ka nxjerr thikën dhe ka plagosur fillimisht 64-vjeçarin Viktor Rrapollari, pasi ka dashur të ndërhyjë për të qetësuar situatën. Sipas dëshmisë së vajzës së tij, ka treguar se kur ka parë të atin të plagosur ka ndërhyrë dhe në këtë çast agresori e ka qëlluar në dorë.
Më pas Mergjyshi ka plagosur në kraharor italianin Massimo Sorvillo, i cili e kishte marrë me qira lokalin ku ndodhi ngjarja. 47-vjeçari italian ka marrë automjetin e tij me targa italiane dhe ka shkuar vetë në Spitalin e Traumës bashkë me bashkëshorten dhe babain e saj.
Dëshmia e 64-vjeçarit Viktor Rrapollari nuk është marrë ende nga grupi hetimor pasi është në gjendje më të rëndë se dy të plagosurit e tjerë. Vetë italiani Sorvillo ka deklaruar për policinë se e kishte pushuar pasi nuk i pëlqente puna e tij.