Futboll, Kupa e Shqiperisë, ”Luftëtari” ‘shkërmoq’ ”Tomorin” 5-0, ja golashënuesit…

Jugulajm.net
2 Min Read

Ekipi i futbollit të Gjirokastres ”Luftëtari” ka siguruar kualifikimin në turin pasardhës të Kupës së Shqipërisë pasi mposhti ”Tomorin” e Beratit me rezultatin e thellë 5-0.

Bluzinjtë e zgjidhën përballjen me një gol në pjesën e parë dhe katër të tjerë pas pushimit duke e mbyllur takimin me një sukses bindës.

Sfida u zhbllokua në minutën e 36-të kur Kadhe gjeti rrugën e rrjetës dhe kaloi në avantazh skuadrën gjirokastrite.

Ky ishte edhe goli i vetëm i fraksionit të parë me ”Luftëtarin”. që shkoi në pushim me epërsinë minimale 1-0.

Në pjesën e dytë diferenca mes dy skuadrave u thellua dhe në minutën e 52-të ”Luftëtari” shënoi golin e dytë përmes Devollit i cili u tregua i saktë nga pika e penalltisë teksa dyfishimi i rezultatit i dha më shumë qetësi bluzinjve në vijimin e takimit.

Më pas skena ishte për Antoni Bejin që realizoi fillimisht në minutën e 68-të duke çuar shifrat në 3-0, ndërsa në minutën e 84-të shënoi sërish dhe plotësoi dopietën personale,gola që e bënë një nga protagonistët kryesorë të kësaj fitoreje.

”Luftëtari” nuk u ndal me kaq pasi një minutë përpara përfundimit të kohës së rregullt Karasani realizoi golin e pestë duke vulosur rezultatin përfundimtar 5-0.

Golat: Kadhe 36’, Devolli 52’(11-m), Beji 68’,84’, Karasani 89’.

Me këtë triumf gjirokastritët vijojnë rrugëtimin në Kupën e Shqipërisë, ndërsa për ”Tomorin” aventura në këtë kompeticion përfundon në turin e parë.

Share This Article