Detaje kanë dalë lidhur me aksidentin e regjistruar pasditen e kësaj të enjteje ku një automjet “Audi A8” ka rënë nga mbikalimi pranë TEG-ut dhe më pas është përplasur me një tjetër mjet.
Bëhet me dije se fatkeqësisht si pasojë e aksidentit kanë vdekur dy vajza, ndërsa tre persona të tjerë janë nisur në gjendje të rëndë drejt spitalit.
Automjeti vinte nga Shkoza në drejtim të TEG-ut dhe si pasojë e shpejtësisë së lartë ka humbur kontrollin duke thyer barrierën mbrojtëse të mbikalimit dhe ka rënë mbi kofanon e një tjetër mjeti tip “Hyundai” i cili ishte në lëvizje.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 09.03.2023, rreth orës 18:05, shtetasi Q. K., duke drejtuar automjetin, në unazën lindore dyshohet se duke dalë për tek rrethrrotullimi i Tegut, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi, mbi kofanon e një automjeti tjetër.
Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetase femra, si dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasit Q K., O. K., dhe K. R., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.