Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka paralajmëruar se Bordi i Transparencës për çmimin e naftës, por edhe për produktet ushqimore pritet të pezullohen.

Ajo ka deklaruar se në qeveri po diskutohet për shfuqizim të tyre, gati një vit pas ngritjes së tyre.

“Kemi diskutuar për shfuqizimin e bordit. Jemi në një situatë ku çmimet e karburanteve kanë krijuar një stabilitet dhe nuk kanë luhatje dhe  jemi në një proces të vendimmarrjes për pezullim të aktiviteteve të bordeve. Arsyeja pse bordet u ngritën ishte vetëm një që të limitoheshin fitimet, me qëllim pasjen e një çmimi më të ulët për konsumatorët”, tha ministrja në një intervistë për ABC.

Ministrja nuk dha një afat kur mund të shfuqizohen, por theksoi se do të qeveria do të vazhdojë të mbikëqyrë çmimet me qëllim mos ketë abuzime.

Njoftimi vjen në kohën kur Gjykata Kushtetuese pritet të japë një vendimin mbi çështjen e bordeve, të cilësuara gjerësisht si të paligjshme.