Ditët e fundit të vitit përveç atmosferës festive, sjellin me vete edhe problematike sa i përket situatës së rendit dhe kryesisht në qarkullimin rrugor.
Nisur nga kjo situatë, policia ka shtuar masat dhe kontrollet për të parandaluar aksidentet dhe ngjarjet e tjera të rënda.
Vetëm në 7 ditët e fundit janë pezulluar në total 581 leje drejtimi, nga të cilat: 472 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 42 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 66 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje janë arrestuar 34 drejtues mjetesh, nga këta: 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjithashtu, për të parandaluar incidentet në natën e ndërrimit të viteve, policia ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të fishekzjarrësh dhe kapsollash.
Gjatë kësaj jave janë finalizuar 16 operacione policore, janë vënë në pranga 135 shtetas dhe janë kapur 6 persona në kërkim.