Me thirrjen “Të shpëtojmë Shqipërinë!” opozita do të zbresë nesër në shesh bashkë me qytetarët për të protestuar kundër keqqeverisjes së mazhorancës.

Deputeti demokrat i Qarkut Gjirokaster, Tritan Shehu, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj thotë se nëse shpopullimi vazhdon me këto ritme askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me Shqipërinë.

Shehu: Motivi është të mbrojmë Shqipërinë, të shpëtojmë Shqipërinë që po shkatërrohet po shpërbëhet. Shqiptarët po ikin dhe askush se di çfarë do të ndodhë me fatin e Shqipërisë nëse do të vazhdohet  në këtë mënyrë.

Teksa pyetet nëse do tu bashkohen kolegët e grupit Alibeaj në protestë, Shehu thotë se ata e kanë vendin te qytetarët që i kanë zgjedhur.

Shehu: Nuk është protestë vetëm e forcave politike por e qytetarëve në terësi.Unë mendoj se deputetët e PD e kanë vendin të gjithë, duhet të jenë me elektoratin e tyre, ata që i kanë zgjedhur se ndryshe pastaj zhbëhen si deputetë.

Deputeti demokrat mohoi zërat për protestë të dhunshme duke sqaruar dhe ortekun e Sali Berishës.

Shehu: Kur ka bërë protestë të dhunshme PD, asnjëherë. Gjithmonë kemi manifestuar paqësisht. PD nuk e ka në genin e saj, në thelbin e saj, në psikologjinë e saj dhunën. PD është një forcë perëndimore dhe europiane. Ortek do jenë ato dhjetëra mijëra njerëz që do jenë atje. Nuk bëhet fjalë për dhunë por një manifestim të indinjatës për të treguar gjendjen ku është vendi, mendimet e qytetarët për këtë situatë dhe ngjalljen e shpresës për nesër. Orteku nuk është i dhunshëm, flasim për ortek demokratik, ai ortek që përmbysi regjimin  komunist, u shfaq dhe në korrik.

E nëse dita e nesërme është një test për kryetarin e PD, Shehu thotë se ai është ezauruar në korrik.

Shehu: Unë pres që qytetarët të shprehin mosaprovimin e tyre, mendimin e thellë negativ ndaj kësaj qeverisje, dënimin ndaj kësaj keqeverisje. Presim që njerëzit të jenë sëbashku.