Rritja e çmimeve ua ka vështirësuar jetesën pensionistëve, pasi me paratë që marrin për punën e bërë për dekada me radhë e kanë të pamundur të sigurojnë produktet bazike për një pleqëri të shëndetshme.
Pavarësisht se qeveria bëri një indeksim të pensioneve, ata rrëfejnë se kanë përfituar shtesa me 500 apo 600 lekë të reja.
Rritja e çmimeve dhe inflacioni në Shqipëri do të jenë prezentë të paktën edhe për dy vitet e ardhshme.
Të parët që preken nga çmimet e larta janë pensionistët. Ministria e financave në shtator të këtij viti miratoi vendimin e indeksimit të pensioneve deri në 6%.
Por të pyetur në mënyrë rastësore, ata kanë përfituar deri në 500 apo 600 lekë të reja në muaj nga ky vendim.
“Rritje 5 mijë lekë, nga 100 me shkoi 105 lekë kam 12 vjet në pension me aq lekë.”
Edhe pse duket se shteti ka hequr dorë nga kujdesi për moshën e tretë, për pensionistët zgjidhja vjen nga fëmijët. Me pensionet e tyre e kanë të pamundur të përballojnë shtrenjtimin e jetesës.
“Shëndosh fëmijët, shyqyr që kam gocat qe më ndihmojnë. Vetë sja dalim, na ndihmojnë fëmijët”
E njëjta situatë paraqitet dhe me personat që trajtohen me ndihmë ekonomike. Me 3 mijë lekë të reja mund të dalësh nga dyqani duke blerë vetëm disa produkte bazike të shportës së ushqimeve.
Çmimet e kripura u kanë vështirësuar jetesën.
“A jetohet me 3000 mijë lekë. As bukë nuk ha dot me aq lekë. Unë marr 2000 lekë, ca të blej më parë me ato në një muaj”.