Shqipëria nis sot bisedimet zyrtare në tryezë me Bashkimin Europian, ditë kjo historike pas 16 viteve nga firmosja e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, ku nisi rrugëtimin drejt BE-së dhe 8 viteve nga marrja e statusit të vendit kandidat.
25 figura të qeverisë dhe administratës të përfshira në procesin e integrimit do të përbëjnë delagacionin shqiptar që do të marrë pjesë në Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE sot në Bruksel.
Delegacioni kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, e në krah të tij do të jenë dhe ministrja e jashtme, Olta Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, si dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë proces.
Takimi të zgjasë 90 minuta e pas tij, do të ketë një konferencë për shtyp. Delegacioni i BE drejtohet nga shefi i diplomacisë ceke, vend i të cilit mban presidencën e radhës së bllokut si dhe përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme Josep Borrell dhe Komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi, të cilët e kanë mbështetur me forcë hapjen e shpejtë të kësaj konferencë, çka u mundësia pas zhbllokimit që i bëri parlamentit maqedonas ngërçit të krijuar me Bullgarinë, përmes miratimit të propozimit francez ditën e shtunë.
Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në qershorin e vitit 2014, e ndonëse marsin e vitit 2020 Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat për anëtarësimin e saj, u desh të pritej edhe dy vjet të tjera, e kjo për shkak se disa vende të bllokut kërkonin ta shihnin Tiranën dhe Shkupin të avanconin bashkë drejt Bashkimit Europian. Kështu, edhe Maqedonia e Veriut e mban nesër në Bruksel, Konferencën e parë Ndërqeveritare me BE-në, në të cilën kryeministri Dimitar Kovaçevski do të lexojë deklaratën hyrëse në gjuhën maqedonase.
Fill pas kësaj, nis verifikimi që do të zgjasë një vit e gjysmë dhe pas përfundimit të atij procesi është planifikuar konferenca e radhës ndërqeveritare, e cila do të përfundojë fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim dhe mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet në Kushtetutë.
Propozimi francez parashikonte kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike, ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.