Kohet e fundit mediat italiane kanë zbardhur së fundmi dëshminë e një biznesmeni të penduar italian pjesë e “Ndrangheta-s”. Sipas tij, një ministër shqiptar i korruptuar mbronte trafikun e drogës që organizohej nga Ndragheta.
Sipas Antonio Guastalegname, 53-vjeç dhe sipërmarrës nga Vibo Marina, ishte Valerio Navarra lidhja mes trafikantëve shqiptarë dhe mafiozëve italianë, i cilësuar si njeri i afërt me bosin e Ndragetas në Zungri, Antonio Giuseppe Accorinti. Sa u përket trafikantëve shqiptarë, Guastalegname thotë se kishin mbështetjen e qeverisë shqiptare.
I penduari italian:
Nëse më kujtohet mirë, subjekti i korruptuar ishte ministri i Drejtësisë ose i Brendshëm, megjithatë ishte një figurë e rëndësishme politike shqiptare.
Një lidhje që bashkëpunëtori i drejtësisë thotë se e ka mësuar nga një trafikant me emrin Eduard ose Robert në një udhëtim Firence-Bolonja.
I penduari:
Më propozoi që drogën e tyre ta shisja direkt unë, pa ndërmjetës, në sheshet e Piemontes dhe për të më joshur theksoi lehtësinë me të cilën mund të organizonin importin e ‘barit’ duke pasur mbështetjen e qeverisë shqiptare për shkak të së cilës ata mund të lëviznin sasi të mëdha droge pa pasur frikë nga kontrollet.
Arrestimet e vitit 2019 dhe 2020, vunë në pranga edhe disa shqiptarë. Mbi 300 persona u arrestuan, mes tyre edhe drejtues të mafies famëkeqe “Ndrageta” në komunën Vibo Valentia.
Sipas hetuesve italianë personi që bëri propozimin është Robert Lazaj (i arrestuar në 2019), i lindur në Shqipëri në vitin 1972. Siç raportojnë mediat italiane, identitetin e ka konfirmuar edhe i penduari kur nga hetuesit i është treguar fotografia e shqiptarit.
I penduari:
Konfirmoj, se ky është personi të cilit i referohesha dhe është i afërt me ministrin e qeverisë shqiptare, i cili siguronte mbrojtje në këto trafiqe.