Importuesit kryesorë të miellit dhe të ushqimeve garantuan se, vendi nuk do të vuajë nga furnizimet, pavarësisht situatave dhe vështirësive që ka krijuar fillimisht pandemia e Covid-19 dhe tani lufta Rusi -Ukrainë. Eleni Babameto që ka në pronësi kompaninë “Teuta” një nga importuesit më të mëdhenj të artikujve ushqimorë në vend (Vaj, sheqer miell, oriz, fasule etj) tha se, tregu ndërkombëtar po vuan disa problematika që krijoi pandemia në zinxhirët e furnizimit, por ajo tha se kompanitë importuese në Shqipëri me përvojë të gjatë i kanë të garantuara furnizimet.
“Qytetarët duhet të jenë të qetë se ushqimet nuk do të mungojnë” tha ajo. Zonja Babameto tha se tashmë kompania e saj ka furnitorë që nga Peruja, Kina dhe vende të largëta të botës dhe ka mundësitë të sigurojë sasitë e nevojshme për sasitë që i duhen Shqipërisë.
Ditët e fundit që kur nisi lufta qytetarët në të gjithë vendin po bëjnë blerje jo të zakonta nga frika se do të ketë mangësi në furnizime dhe çmimet do të rriten nga lufta Rusi-Ukrainë duke qenë së vendet janë një nga eksportuesit të mëdhenj global të grurit.
Në të gjithë vendin, por sidomos në rrethe, njerëzit po kryejnë furnizime të mëdha nga frika që ka ngjallur lufta. Blerjet janë përqendruar kryesisht në miell. Edhe para sulmeve ruse në Ukrainë, tregjet po vuajnë nga kërkesa e lartë që u shfaq gjatë pandemisë në produktet ushqimore. Paratë e kursyera nga mungesa e udhëtimeve u kanalizuan në një konsum më të lartë në ushqime dhe artikuj të furniturës për shtëpi. Kërkesa e lartë e kombinuar me probleme në zinxhirët e furnizimit, të tilla si kostot e larta të transportit dhe mungesat e punonjësve çuan në një valë të re çmimesh në të gjithë artikujt pa përjashtim. Lufta e ka vështirësuar situatën edhe më tej.
Ukraina si një nga furnitorët kryesor me drithëra i ka kryer mbjelljet e grurit në vjeshtë, korrjet e të cilit do të kryhen në korrik. Por eksportet nga ky vend do të varen nga ecuria e luftës, ndërkohë ngjarjet po pengojnë mbjelljet e pranverës në kulturat e tjera të drithërave si misri, lule dielli etj. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO) konusmi global i drithërave më 2022 vlerësohet në 2.8 miliardë tonë, ndërsa rezervat globale janë 824 milionë tonë, të afta për të mbuluar 29 për qind të konsumit total global.
Burimi: Monitor