16 persona janë vënë në prangat e Policisë së Tiranës, pas protestës që u mbajt dje në kryeqytet, që nisi te Ministria e Arsimit dhe u zhvendos në disa rrugë të kryeqytetit. Ndërkohë janë zbardhur emrat e 16 personave të arrestuar, të gjithë në moshë madhore.
EMRAT E PERSONAVE TË ARRESTUAR
Kastriot Vata
Florian Baba
Ali Bruçi
Genc Ibrahimi
Ernest Kapo
Iljaz Sulaj
Besnik Kala
Donik Vatgjoni
Erand Zenunllari
Hamza Bushi
Olsi Vokli
Xhesion Petoku
Klevi Metaj
Berim Gjoka
Kalosh Hysbarjami
Korado Aliaj
Sipas Policisë së Tiranës, gjatë tubimit të zhvilluar më datë 13.10.2026, rreth orës 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, disa pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur sende të forta, pllaka guri, kapsolla, kokteje molotovi dhe sende të tjera në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike.
“Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjithashtu, janë thyer dhe djegur sende brenda një institucioni mikrofinanciar, dhe është dëmtuar fasada prej xhami e subjektit privat, bankë e nivelit të dytë.
Në rrugën “Ded Gjon Luli”, është thyer me forcë një nga dyert e godinës së Bashkisë Tiranë dhe i është vënë zjarri katit të parë të saj.
Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar me shërbim janë përballur, që prej fillimit të tij, me dhunë të vazhdueshme, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovë nga grupe pjesëmarrësish të maskuar. Si pasojë, janë dëmtuar 6 punonjës policie”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e Policisë.




