Ekipi i futbollit të Gjirokastrës “Luftëtari” ka marrë një fitore të rëndësishme në kampionat, duke mposhtur me rezultatin e pastër 3-0 “Bylisin B”.
Një paraqitje pozitive e skuadrës gjirokastrite, e cila arriti të kontrollonte lojën dhe të konkretizonte epërsinë e saj me tre gola, duke siguruar tri pikë me shumë vlerë.
Bluzinjtë e nisën takimin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Vetëm shtatë minuta lojë u deshën që “Luftëtari” të gjente rrugën e rrjetës.
Ishte Vasili autori i golit të parë, duke i dhënë avantazhin skuadrës vendase dhe duke krijuar kushtet për një vazhdim më të qetë të takimit.
Pas golit të avantazhit “Luftëtari” vijoi të kërkonte kontrollin e ndeshjes, ndërsa “Bylisi B” u përpoq të reagonte dhe të rikthehej në lojë.
Megjithatë skuadra gjirokastrite tregoi siguri dhe administrim të mirë të avantazhit, duke mos lejuar kundërshtarin të gjente hapësirat e nevojshme për të ndryshuar rrjedhën e takimit.
Në pjesën e dytë vendasit arritën të mbyllnin praktikisht llogaritë e sfidës, teksa në minutën e 65-të Oliveira shënoi golin e dytë, duke çuar rezultatin në 2-0 dhe duke shtuar edhe më shumë qetësinë në kampin bluzi.
Ndërkohë në minutën e 80-të ishte Avduli që vendosi vulën përfundimtare të këtij takimi, duke realizuar golin e tretë dhe duke fiksuar shifrat në 3-0.
Një fitore bindëse për “Luftëtarin”, që jo vetëm merr tri pikë të rëndësishme por arrin edhe objektivin për t’u ngjitur në krye të klasifikimit.
Gjirokastritët konfirmojnë kështu ambiciet e tyre në garën e kampionatit, duke dërguar një sinjal të qartë se do të jenë një skuadër pretendente deri në fund të sezonit.




