FOTO/ Ja kush është 29-vjeçarja, që u kap me arsenal për protestuesit

Jugulajm.net
3 Min Read

Artistja 29-vjeçare Fatime Paja u arrestua gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, pasi dyshohet se furnizonte protestuesit me molotovë dhe mjete të tjera të përdorura për sulme ndaj efektivëve të policisë dhe institucioneve.

Ajo u kap në flagrancë në rrugën “Qemal Stafa”, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit të saj, policia sekuestroi 91 kokteje molotov, 166 fishekzjarrë dhe 59 tuba metalikë.

Paja ishte ndër artistët që krijuan figurat e flamingove, të cilat u kthyen në simbol të protestave kundër projektit turistik në Nartë. Gjatë marshimeve në kryeqytet, ajo udhëhiqte thirrjet “Shqipëria nuk shitet!” dhe “Mos e prekni Nartën!”, ndërsa së bashku me artistë të tjerë organizonte aktivitete artistike edhe për fëmijët.

Në një intervistë për Associated Press, më 20 qershor, Paja kishte treguar se si e përdorte artin si formë proteste.

“E kam përdorur prej kohësh artin si një mjet për të shprehur padrejtësitë dhe pakënaqësinë që lidhen me jetën e përditshme civile në Shqipëri”, shprehej ajo.

Në botën e artit, 29-vjeçarja njihet me emrin Fatma Paja. E lindur në Belsh, ajo ushtron veprimtarinë e saj si artiste vizuale, piktore, ilustruese dhe dizajnere grafike. Së bashku me motrat e saj, Elsa dhe Natasha Paja, ka themeluar studion krijuese TRIVET, përmes së cilës ka realizuar një sërë botimesh, ilustrimesh dhe ekspozitash.

Në vitin 2023, artistja bashkëpunoi me organizatën Cultural Heritage without Borders Albania për një botim kushtuar Muzeut Etnografik të Krujës, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit EU4Culture.

Studioja TRIVET realizoi gjithashtu dizajnin dhe ilustrimet e guidës turistike të Mirditës dhe kontribuoi në ekspozitën “Mirdita në Fotografi”. Projekti CulTour Mirdita përfitoi një grant prej rreth 40 mijë eurosh nga programi EU4Culture. Megjithatë, të dhënat publike nuk përcaktojnë shumën e përfituar nga studioja apo nga artistja individualisht.

Në vitin 2024, tri motrat prezantuan në Shqipëri dhe Kosovë ekspozitën “Që prej motmoti”, kushtuar traditave, miteve dhe riteve shqiptare.

Po atë vit, Fatma Paja ishte anëtare e jurisë së festivalit ndërkombëtar të animacionit Anibar në Kosovë. Veprimtaria artistike e tri motrave është promovuar edhe nga Bashkimi Evropian në rrjetet sociale.

Tashmë, 29-vjeçarja po përballet me hetimet për rolin e dyshuar në ngjarjet e protestës së 28 Nëntorit.

Share This Article