Ermal Lulaj u shua në një aksident tragjik që ndodhi mbrëmë, ngjarje ku u plagos rëndë dhe 63 vjeçari Thanas Poçaj.
I ndjeri, prej 20 vitesh në polici dhe me gradën Kryekomisar, mbante detyrën e shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Ai ishte baba i tre fëmijëve të mitur, me vdekjen e tij të mbetur jetimë.
Sot, për nder të tij u zhvilluan homazhe në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, raporton noa.al.
Në homazhe, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, tha se Ermal Lulaj do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje nga kolegët dhe i gjithë komuniteti i Policisë së Shtetit. Gjithashtu, siguroi familjarët dhe fëmijët e Ermalit se do të kenë përherë mbështetjen e Policisë së Shtetit.
“Ermalin e kam njohur që në fillimet e karrierës. Ndjej një keqardhje shumë të madhe për mënyrën se si u largua kaq shpejt nga jeta. Na u largua një baba i tre fëmijëve, bir i një familjeje shumë të mirë dhe një koleg i shkëlqyer. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë kolegëve”, tha Hita.




