Nga Fejzo Subashi
LETËR E HAPUR FATMIR XHAFËS
I nderuar zoti Xhafa,
Po ju drejtohem si deputetit jo vetëm më të vjetër në përvojë, por edhe si një prej njohësve të mirë të Kushtetutës dhe së drejtës.
Ju mund të heshtni dhe të qëndroni në qetësinë tuaj. Jam i bindur se as këpuca nuk ju vret, as koka nuk ju dhemb. Mund të largoheni një ditë nga politika dhe të shijoni rehatinë tuaj, ashtu siç kanë bërë shumë paraardhës para jush. Është zgjedhja juaj dhe, në një farë mënyre, është edhe e kuptueshme.
Mund të më thoni: Ku na dëgjon njeri sot? Ne dhamë dhe bëmë atë që mundëm! A nuk është më mirë të heshtim? Në këtë vend, edhe kur flet për mirë, prapë nuk të lënë pa bisht.
Unë mund t’i drejtohem secilit deputet veçmas, pavarësisht nëse më dëgjon apo jo, por mund t’u drejtohem edhe të gjithëve së bashku. Ju drejtohem juve sepse njoh formimin tuaj dhe staturën tuaj si ligjvënës. Ju kam votuar, jo sepse më kërkuat votën, por sepse kam menduar se Parlamenti ka nevojë për njerëz me përvojën, formimin dhe përgjegjësinë tuaj. Kjo është arsyeja pse po ju shkruaj.
Fatmir, ka ardhur koha që të korrigjoni gabimet, si maxhorancë e sotme dhe si opozitë e djeshme. Ka ardhur koha të ndani përgjegjësinë nga pushteti dhe të korrigjoni atë që kemi bërë gabim.
Dua ta them qartë: unë nuk kërkoj largimin e Edi Ramës dhe aq më pak largimin e maxhorancës socialiste. Unë kërkoj ndryshimin e modelit të pushtetit.
Nuk dua të kemi më një model ku gjithçka përqendrohet te kryetari, ku institucionet varen nga vullneti politik dhe ku suksesi matet kryesisht me mbajtjen e pushtetit. Dua që të mendojmë jo vetëm për pushtetin, por mbi të gjitha për shtetin.
Dhe ky ndryshim mund të nisë pikërisht nga ju, brenda Partisë Socialiste dhe brenda maxhorancës.
Sot duhet të ndryshojë roli i deputetit. Duhet një tjetër staturë e ligjvënësit, një tjetër standard përfaqësimi dhe një tjetër mënyrë e kërkimit e dhënies së llogarisë. Deputeti nuk mund të jetë thjesht mbështetës i qeverisë apo zbatues i vullnetit të kryetarit. Ai duhet të jetë ligjvënës, përfaqësues i qytetarëve dhe garant i interesit publik. Ai duhet të shikoj hallet e vendit, ku i pikon çatia Shqipërisë, jo hallet e miqësisë dhe ku i pikon çatia e shtëpisë së tij. Na duhet një Parlament që kontrollon pushtetin, jo një Parlament që vetëm e mbështet atë. Na duhet një sistem ku çdo pushtet ushtron përgjegjësitë e veta, ku institucionet kontrollojnë dhe balancojnë njëra-tjetrën dhe ku askush nuk qëndron mbi ligjin. Këtë mund ta bëni edhe me Edi Ramën kryeministër dhe me këtë maxhorancë. Madje, mendoj se është më e ndershme dhe më e dobishme ta bëni tani, me përgjegjësinë që ju ka dhënë vota, sesa të prisni marrëveshje të radhës me opozitën për të ruajtur ekuilibrat e pushtetit. Çfarë kërkoj konkretisht?
– Një Kod Zgjedhor të drejtë, që i shërben përfaqësimit të qytetarëve dhe jo interesave të partive e të drejtuesve të tyre.
– Një reformë territoriale në shërbim të qytetarit, jo të interesave elektorale.
– Një drejtësi që funksionon dhe jep zgjidhje, ku pavarësia shoqërohet me përgjegjësi dhe llogaridhënie.
– Institucione për vendin dhe qytetarin, jo institucione të varura nga individët apo interesat e radhës.
– Një administratë në shërbim të institucioneve dhe ligjit, jo një administratë e përdorur për të siguruar vota, për të shpërblyer militantë apo për të bërë qoka politike.
– Pushtete të forta e ta pa varura nga njëri tjetri, për një shtet prestigjioz me dinjitet brenda dhe jashtë vendit.
Këto nuk janë kërkesa për të rrëzuar qeverinë. Janë kërkesa për ta bërë qeverisjen më të mirë dhe shtetin më të fortë. Prandaj, Fatmir, merreni këtë nismë brenda Partisë Socialiste dhe maxhorancës. Mos u mjaftoni me këshilla të përgjithshme, me kritika që nuk prodhojnë ndryshim apo me mbështetje të quajtur konstruktive, e cila në fund i shërben vetëm kalimit të radhës të klasës politike. Jepini Ramës mundësinë të bëjë zgjidhje, jo thjesht të kalojë klasën! Një kryeministër nuk ndihmohet vetëm duke e mbështetur. Ndonjëherë ndihma më e madhe është t’i kërkosh të korrigjojë atë që nuk shkon. Një maxhorancë nuk forcohet duke i mbyllur sytë para gabimeve, por duke pasur kurajën t’i njohë dhe t’i ndreqë ato. Unë nuk ju kërkoj të bëheni kundërshtarë të qeverisë suaj. Ju kërkoj të bëheni pjesë e një ndryshimi që i shërben vendit. Nuk ju kërkoj të hapni një konflikt të ri politik, por të merrni përgjegjësinë për një model të ri qeverisjeje. Nuk kemi nevojë vetëm të ndërrojmë njerëzit në krye. Kemi nevojë të ndryshojmë mënyrën se si ushtrohet pushteti, si funksionojnë institucionet dhe si mbahet përgjegjësi për vendimet. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një qeveri që qeveris. Ka nevojë për një shtet që funksionon, për institucione që qëndrojnë dhe për ligjvënës që nuk e harrojnë se kujt i detyrohen.
Ka ardhur koha të ndajmë pushtetin nga përgjegjësia personale dhe interesin e partisë nga interesi i shtetit. Ka ardhur koha të korrigjojmë gabimet tona. Kjo duhet të jetë motoja e maxhorancës: jo dialog për të ruajtur qetësinë politike, por përgjegjësi për të sjellë ndryshimin e domosdoshëm.
Zoti Xhafa, kjo është arsyeja pse po ju drejtohem. Jo për t’ju kërkuar të largoni dikë, por për t’ju kërkuar të ndihmoni në ndryshimin e një modeli që nuk duhet të vazhdojë.
Mendoni për shtetin, jo vetëm për pushtetin. Ky do të ishte kontributi juaj më i madh sot.
Me respekt,
Fejzo Subashi




