VIDEO/Stalla e lopëve mes banesave në Libohovë, banorët po sëmuren dhe ngelen pa ujë nga ndotja e burimit

Jugulajm.net
3 Min Read

Nje lagje e tërë në pjesën malore të Libohovës, po përjeton një situatë në kufijtë e të drejtës për të patur shëndet.

Dhjetëra familje që banojnë në lagjen “Hoxhallarë”, po përballen përditë me ndotje që shkakton kjo stallë që ndodhet mu në qendër të kësaj lagjeje. Janë 50 lopë që ndodhen në rregjim stallor mu pranë banesave duke shkelur në këtë mënyrë normat e bashkëjetesës në komunitet, por dhe ndotje dhe rrezik për shëndetin e tyre.

Kjo stallë ka pak kohë që po u shkatërron jetën dhe shëndetin banorëve të lagjes në fjalë pasi pronari i saj, sikurse thonë banorët, nuk pyet askënd dhe nuk dakordësohet me heqjen e saj nga zona e banuar për t’a transferuar larg saj. Ndonëse kërkuam që të takoheshim me të zotin e stallës, ka qenë e pamundur pasi u shmang nga çdo ballafaqim. Kësisoj, banorët janë ata që kanë ngritur alarmin tek Jugulajm.net si të vetmen shpresë për të marrë formën e zgjidhjes ky problem jetik për ta dhe higjenik për mbarë komunitetin. Mbetjet organike të lopëve, rjedhin lirshëm në terren duke u përcjellë deri tek burimi i lagjes.

Kësisoj banorët janë detyruar që të mbushin ujë jo më në lagjen e tyre, por dhjetë kilometra larg në fshatin më të afërt. Mjaft të revoltuar banorët e lagjes Hoxhallarë, kanë apeluar për këtë situatë pasi po u rrezikon dhe shëndetin e tyre nga pickimi prej insekteve të gjithëfarëllojshme që gjenerojnë nga mbetjet organike të lopëve.

Kjo situatë po shndërrohet në një tmerr të vërtetë aq sa banorët po diskutojnë shpërnguljen të detyruar nga rrethanat e lindura me këtë rast. Për këtë problem, kërkuam sqarime tek kryetari i Bashkisë së Libohovës Lenord Hide. Ky i fundit u shpreh se Bashkia Libohovë, i ka përcjellë shkresë zyrtare pronarit të lopëve që të zhvendosë stallën nga zona e banuar.

Madje sipas Hides, atij i është lënë një afat kohor që të marrë masa konkrete për zhvendosjen e plotë të stallës, në të kundërt, do të ndërmerren hapa ligjorë sipas legjislacionit në fuqi.

Share This Article