Një situatë kaotike raportohet në një burg të Pisas, ku ndodhen edhe disa shtetas shqiptarë. Sipas informacioneve të mbërritura, brenda ambienteve të burgut janë shënuar përplasje dhe dëmtime, duke bërë që në vendngjarje të ndërhyjnë forcat e policisë.
Mediat vendase shkruajnë se, disa prej të burgosurve janë rikthyer në sektorët e tyre, ndërsa në qelitë e tyre dyshohet se janë vendosur pajisje GPS për monitorim.
Në mes të situatës së tensionuar, disa prej të burgosurve kanë ngritur akuza ndaj një drejtuesi të burgut. Ata pretendojnë se në ambientet e institucionit janë futur sende të ndaluara, mes tyre telefona, alkool dhe lëndë narkotike.
Po ashtu, sipas denoncimeve, gjatë përplasjes janë përdorur mjete tymuese apo mjete të ngjashme, ndërsa situata është shoqëruar me dëmtime të ambienteve të burgut.
Familjarët e disa prej të burgosurve kanë shprehur shqetësim për gjendjen e tyre dhe kërkojnë që autoritetet italiane të ndërhyjnë dhe të verifikojnë sa më shpejt rrethanat e ngjarjes.
Veçanërisht shqetësuese është fakti se situata brenda burgut është transmetuar drejtpërdrejt në TikTok, duke bërë që pamjet e incidentit të përhapen në rrjetet sociale.
Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet italiane për akuzat e ngritura nga të burgosurit apo për rrethanat e plota të incidentit. Hetimet pritet të sqarojnë shkaqet e përplasjes dhe përgjegjësit për situatën e krijuar.




