Përkeqësohet gjendja e Melisa Trëndafilit, 31-vjeçares që u dogj me benzinë nga i shoqi, Bledar Trëndafili, pasi ky i fundit i bënte presion që të hiqte dorë nga divorci.

31-vjeçarja, e cila ka marrë plagë të shumta dhe djegie të shkallës së lartë është transferuar drejt spitalit “Nënë Tereza” për të marrë mjekim më të specializuar.

Një nga fqinjët, së bashku me bashkëshorten e tij i dhanë ndihmën e parë viktimës. Ai u shpreh jashtë kamerave se gruaja pasi u dogj, trokiti në portën e tyre dhe si së bashku me të shoqen e kanë ndihmuar të shuajë flakët.

“Kam parë një burrë i cili në mes të rrugës fare pranë shtëpisë sime ka spërkatur me benzinë një grua e me pas i ka vënë flakën. Gruaja e tmerruar ka trokitur në portën e shtëpisë time dhe së bashku me bashkëshorten e kemi ndihmuar fikjen e flakëve të zjarrit. I kemi hequr të gjitha rrobat nga trupi dhe e kemi veshur por plagët me përjashtim të fytyrës dhe këmbëve, ishin të mëdha dhe pothuajse gjithë trupi ishte me plagë të shumta. Kemi lajmëruar policinë dhe ambulancen të cilët erdhën shpejt në vendin e ngjarjes”, tha ai.

Ndërkohë, janë ngritur pika kontrolli për të arrestuar autorin e ngjarjes.