Shpërthimi te karburanti në Sarandë, reagon Inspektorati Teknik: Objekti ishte jashtë funksionit prej 3 muajsh

Jugulajm.net
2 Min Read

Një shpërthim ndodhi ditën e djeshme në pikën e karburantit “AN Oil”, në rrugën “Skënderbeu” në Sarandë. Si pasojë e kësaj u plagosën dy punonjës, të cilët u transportuan në urgjencën e spitalit të Sarandës. Karburanti ka qenë i mbyllur për një periudhë tre mujore, ndërsa punonjësit po përgatitnin ambientin për ta bërë funksional.

Punëtorët e mirëmbajtjes së karburantit, Fatmir Pema 39 vjeç dhe Florian Bica 27-vjeç, kanë qenë duke punuar me një mjet prerës, troko, dhe nga shkëndijat dyshohet të jetë shkaktuar shpërthimi. Si pasojë e shpërthimit, Fatmir Pema ka pësuar djegie në trup, ndërsa Florian Bica është transportuar në spital pas tronditjeve nga shpërthimi.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), i cili bëri të ditur se pika kishte qenë jashtë funksionit prej rreth tre muajsh dhe ndodhej në proces rihapjeje. Sipas verifikimeve paraprake të inspektorëve, në momentin e shpërthimit në objekt nuk kishte depozita gazi apo karburanti.

ISHTI bëri me dije se po vijon mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave në bashkëpunim me strukturat përkatëse. Kjo me qëllim përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes. Institucioni bëri me dije se, në këtë fazë të verifikimeve, nuk rezulton përgjegjësi që mund t’i atribuohet atij për shpërthimin.

Share This Article