Një 30-vjeçar është marrë peng nga tre persona për shkak të një borxhi për veprimtari kriminale të kryer në Britani, në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Policia e Durrësit ka ndërhyrë në kohë dhe ka bërë të mundur lirimin e të riut, ndërsa ka arrestuar tre autorët.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Borxhi” janë vënë në pranga shtetasit Iljaz Kotorja, 27 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë, Geri Cani, 26 vjeç, banues në lagjen nr.13, Durrës dhe Jurgen Delia, 29 vjeç, banues në lagjen nr.14 Shkozet, Durrës.

Blutë e qytetit bregdetar bëjnë me dije se autori kryesor i pengmarrjes dhe shtetasi i marrë peng, të dy të dënuar më parë, në Britani, për krime në fushën e narkotikëve.

“Shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën policore se tre shtetas kishin marrë peng një shtetas dhe po lëviznin në zonën e plazhit, në drejtim të Shkozetit, me një automjet, kanë organizuar punën dhe falë reagimit në kohë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar. Nga kontrolli rezultoi se në automjet ndodheshin 4 shtetas, njëri nga të cilët ishte i marrë peng nga 3 shtetasit e tjerë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi B. H. ishte marrë dhe mbajtur pa dëshirën e tij, në automjetin tip “BMW X5”, nga shtetasit Iljaz Kotorja, Geri Cani dhe Jurgen Delia. Këta tre shtetas po e kërcënonin shtetasin B. H., për t’iu dhënë shumën 6 000 paund, të cilën shtetasi Iljaz Kotorja pretendonte se ia kishte detyrim shtetasi B. H., për një çështje droge në kohën kur të dy këta shtetas kryenin dënimin për narkotikë, në shtetin britanik, në të njëjtën qeli burgu.” thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim.