Saimir Tahiri rikthehet në skenë, pas një periudhe të gjatë larg vëmendjes dhe publikut.
Ish-ministri i Brendshëm, i cili për vite me radhë ka qenë një prej figurave më të përfolura të politikës shqiptare dhe më pas u përball me një proces penal që kulmoi me arrestimin dhe dënimin e tij, shfaqet tashmë në një tjetër rol.
Tahiri ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shfaqet së bashku me një kast xhirimi, teksa duket se po bën prova për një projekt që ende nuk është zbuluar plotësisht.
Nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një film, një intervistë apo një produksion tjetër, por mesazhi i ish-ministrit lë të kuptohet se pas kësaj shfaqjeje fshihet një rrëfim personal.
“Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua. Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë”, shkruan Tahiri krahas videos.
Tashmë, pa dhënë detaje të tjera, ai paralajmëron se ka shumë për të thënë, por mbbetet për t’u parë nëse ky është thjesht një projekt artistik apo një rrëfim i shumëpritur për vitet që e kthyen Saimir Tahirin nga një prej ministrave më të fuqishëm të qeverisë në një prej emrave më të komentuar të drejtësisë shqiptare.




