Bledar Bakaj vijon të jetë në kërkim nga policia, pas dhunës që ai ushtroi ndaj babait të ish partneres së tij.
Kjo e fundit, në një reagim publik, teksa bëri thirrje për ndihmë nga institucionet, theksoi se Bakaj është daja i deputetes së PS Zegjine Çaushi. Ajo më tej tha se deputetja socialiste ishte në dijeni të rrëmbimit dhe përdhunimit të saj.
Pas këtyre akuzave, ka reaguar vetë deputetja Zegjine Çaushi. Në një postim në rrjetin social, ajo hedh poshtë këto pretendime, si dhe tregon versionin e saj se si e njohu 34-vjeçaren Merita Gremaj dhe takimin me të.
“Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk 2 dhe të publikuar nga mediat më 14.09.2026 dhe 15.09.2026, dëshiroj të sqaroj opinionin publik lidhur me informacionet e dhëna deri tani.
Familja e nënës sime përbëhet nga 11 fëmijë: 9 motra dhe 2 vëllezër. Të gjithë kanë familjet, punët dhe jetët e tyre, ndaj natyrshëm nuk kemi kontakte të vazhdueshme dhe të pandërprera me njëri-tjetrin.
Vëllain e nënës, Bledar Bakaj, së bashku me znj. Merita Gremaj, e kam takuar rastësisht pas një takimi që kisha në atë zonë, në fillim të muajit qershor. Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fqinjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Madje, aty kam takuar edhe një kushëri, të cili Merita Gremaj e kishte njeriun e afërt nga fisi i të atit”, shkruan Çaushi.
Deputetja më tej ka komentuar edhe fjalinë “Se mos na hapni probleme” dhe kontekstin në të cilën e ka thënë.
“Sapo kam hyrë në oborr kam pare Meriten, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit. I urova padyshim për lidhjen e tyre, pasi atë gjë po bënin edhe fqinjet qe ishin prezent dhe më pas, si unë, edhe kushëriri im iu drejtuam: “E keni ndarë mendjen? Do martoheni?”
Merita Gremaj tha : “Po po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…”
“Se mos na hapni probleme”, iu drejtova pas fjalëve të saj, referuar pelqimit te babait. Gjëja kaloi me të qeshura dhe urime nga njerëzit e pranishëm.
Kam ndenjur rreth 10 minuta dhe kam levizur për angazhimet e mia, të tjerët kanë vazhduar të qëndronin.
Pas disa ditësh, pashë edhe në rrjetet sociale, fotografi të tyre së bashku, të qeshur dhe me lule në duar”, tha Çaushi.
Më tej, deputetja socialiste ka shtuar: “Në të njëjtën kohë, mendoj se ky është një rast që duhet të trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm”.
“Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre. Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik. Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar.
Në të njëjtën kohë, mendoj se ky është një rast që duhet të trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm. Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre”, shkruan deputetja Çaushi.




