Shqipëria është drejt një marrëveshjeje me një rrjet universitar në Londër. Në podcast-in “Flasim”, kryeministri Rama thotë se pjesë e marrëveshjes është hapja e një rrjeti universitetesh, konkretisht një universiteti mjekësie në Fier, një të përgjithshëm në Vlorë, një për teknologjinë në Korçë dhe një tjetër, sërish i Përgjithshëm, në Tiranë.
Studimet në dy universitete do të hapen gjatë 2027-2028 dhe në dy të tjerët, 2028-2029.
“Me shumë gjasë, së shpejti, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha universitare të botës, i bazuar në Londër dhe pjesë e marrëveshjes është edhe plani i përbashkët për të hapur Universitetin e Mjekësisë në Fier. Universiteti mjekësor i Fierit do të jetë ndërkombëtar, me reputacion ndërkombëtar, me studentë shqiptarë dhe nga e gjithë bota. Ne jemi shumë afër, kemi filluar një proces diskutimesh dhe kemi parë një studim, një draft të fisibilitetit, është fantastik, por presim studim përfundimtar nga ana e tyre. Është investim shumë i madh që do të bëjmë, ne do të vëmë në dispozicion infrastrukturën, ata do të sjellin pedagogë, por komponent i rëndësishëm do të jetë edhe zgjedhja e pedagogëve shqiptarë që ata synojnë t’i zgjedhin jo vetëm këtu, por edhe në diasporë. Është plan goxha ambicioz. Janë 4 universitete, është universiteti i Fierit, universitet ekselence për mjekësinë. Është universiteti i Vlorës, i përgjithshëm, më i madhi ndër të 4, ambicia jonë është ta instalojmë në qendër të Vlorës, te Sheshi i Flamurit, universitet ndërkombëtar që të krijojë dinamikë të re. Një tjetër në Korçë për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale dhe tjetri, i Përgjithshëm në Tiranë. Duam ta konkludojmë të gjithën brenda këtij viti dhe duam që të fillojë mësimi në 2 nga 4 universitetet, në sezonin 2027-2028 dhe 2028-2029, të katërt janë në funksion”, tha Rama.




