Aksident, motori përplas këmbësoren dhe largohet nga vendngjarja

Jugulajm.net
1 Min Read

Një aksident rrugor është shënuar mbrëmjen e sotme, ku një grua që po lëvizte në këmbë anës rrugës është përplasur nga një motor.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:25 në aksin rrugor kombëtar ”Gramsh-Cërrik”. Sipas të dhënave paraprake, motori dyshohet se po qarkullonte me shpejtësi, kur ka përplasur këmbësoren, e cila si pasojë e goditjes ka rënë në asfalt dhe ka pësuar dëmtime të shumta në trup.

Raportohet se gruaja, për shkak të plagëve të marra, ka humbur përkohësisht ndjenjat në vendngjarje.

Pas aksidentit, drejtuesi i motorit ka ndaluar një automjet që po kalonte në rrugë dhe, së bashku me drejtuesin e tij, kanë transportuar gruan e dëmtuar drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë, drejtuesi i motorit ka braktisur mjetin dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Në vendngjarje pritet të mbërrijnë shërbimet e Policisë, të cilat do të kryejnë veprimet e nevojshme për dokumentimin e aksidentit dhe identifikimin e drejtuesit të motorit.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa pritet informacion i mëtejshëm lidhur me gjendjen shëndetësore të këmbësores.

Share This Article