Pushteti gjyqësor në Shqipëri: Pavarësi po, Përgjegjësi Jo. Letër e hapur: gjyqtarëve dhe trupave gjykuese

Jugulajm.net
9 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Të nderuara gjyqtare, të nderuar gjyqtarë dhe trupa gjykuese të gjykatave të Republikës së Shqipërisë.
Si fillim, ju uroj të keni kaluar mirë pushimet dhe të jeni kthyer me energji për një sezon të ri, produktiv dhe, mbi të gjitha, me mendje të kthjellët. Në fakt me shumë vrullë e muarët, pasi dorën e drejtësë te thesi i buxhetit e futët. Ndaj, ishalla me mend në kokë! Jo si ironi, por si një urim i sinqertë për një profesion që ka në dorë fatin, pasurinë, dinjitetin, lirinë dhe, në jo pak raste, vetë jetën e njerëzve.

Do të doja që këtë sezon të na e minimizonit sa më
shumë dëmin që, për shkak të padrejtësive, vendimeve të gabuara apo neglizhencës suaj, i është shkaktuar individit, shoqërisë, shtetit dhe këtij vendi. Kjo nuk është vetëm një kërkesë e imja si një qytetar që ka përjetuar padrejtësinë. Është një kërkesë që buron nga vetë detyrimi juaj profesional dhe institucional, por edhe nga fakti se jeni ndër ata profesionistë që paguhen nga taksat e këtij populli.
Dhe, për hir të së vërtetës, janë taksa të konsiderueshme. Aq të konsiderueshme, sa qytetari ka të drejtë të presë prej jush jo vetëm profesionalizëm, por edhe përgjegjësi, llogaridhënie dhe drejtësi. Po ju drejtohem edhe si njohës i filozofisë juridike dhe i së drejtës, si person publik dhe si gazetar profesionist me përvojë.

Dhe këshilla ime është e thjeshtë: Dashuroni me zemër. Por drejtësinë jepeni me mendje të kthjellt. Në jetën tuaj personale mund të vendosni me zemër dhe për zemrën. Mund të dashuroni, të zgjidhni njeriun me të cilin do të martoheni, të ndërtoni familjen tuaj. Por edhe aty, nëse doni të merrni një vendim të rëndësishëm, nuk mjafton vetëm rrahja e zemrës. Duhet edhe arsyeja, bindja, argumenti dhe përgjegjësia për pasojat.
Sepse nëse një vendim i marrë vetëm me zemër ju sjell një kosto, atë kosto e paguani ju. Por kur vendimi merret në sallën e gjyqit vetëm me zemër, pa fakte, pa prova, pa argument dhe pa ligj, koston nuk e paguani vetëm ju. E paguan dikush tjetër. E paguan padrejtësisht një qytetar. E paguan familja e tij. E paguan shoqëria. E paguan shteti.

Prandaj, në drejtësi, zemra nuk mund të jetë prova dhe mundësia e vetme. As miqtë, as të afërmit, as interesat, as ofertat dhe, aq më pak, xhepi. Ju jeni të pavarur në marrjen e vendimit. Dhe pikërisht sepse jeni të pavarur, duhet të jeni edhe më të përgjegjshëm.

Pavarësia nuk është imunitet nga përgjegjësia.
Vendimi gjyqësor duhet të mbështetet në prova, fakte, ligj dhe argumentim juridik. Kurrë në atë që thotë dhe kurrë në atë që kërkon vetëm xhepi dhe interesi juaj. Ka ardhur koha që kjo përgjegjësi të mos kuptohet vetëm si përgjegjësi morale apo profesionale, por, kur ekzistojnë kushtet ligjore, edhe si përgjegjësi juridike e penale. Sepse një vendim gjyqësor nuk është një copë letër që firmoset dhe arkivohet.

Ai është një akt që mund të ndryshojë jetën e një njeriu. Mund t’i marrë dikujt pronën. Mund t’i mohojë të drejtën.
Mund t’i shkatërrojë një familje. Mund t’i zgjasë një konflikt për vite.
Mund t’i kushtojë shtetit miliona. Pa llogaritur milionat që doni për rroga nga buxheti. Dhe, mbi të gjitha, mund të cenojë besimin e qytetarit te drejtësia. Profesioni juaj nuk është thjesht të monitoroni disa seanca, të dëgjoni palët, të shikoni telefonin ndërsa ato deklarojnë, parashtrojnë dhe kërkojnë dhe, në fund, të jepni një vendim. Dhe aq më pak nuk është profesion ku vendimi zbardhet pas një kohe të gjatë, ndërsa konflikti vazhdon dhe palët sorollaten nëpër shkallët e gjyqësorit derisa ndonjëherë duket sikur jeta e tyre nuk mjafton për ta përfunduar çështjen që gjykata duhet ta kishte zgjidhur.

Çdo profesion ka përgjegjësi për atë që bën, shkruan, pasqyron, nënshkruan dhe deklaron.
Pse duhet të jetë ndryshe për gjyqtarin? Pse një qytetar i thjeshtë duhet të përgjigjet për gabimin e tij në punë. Përse një punonjës administrate duhet të japë llogari edhe për një dëm të vogël ndaj buxhetit, ndërsa për një vendim gjyqësor të gabuar, të paarsyetuar apo të rrëzuar nga një gjykatë më e lartë, shpesh duket sikur përgjegjësia përfundon te një fjali: “Vendimi u rrëzua.” Po vendimi kishte një autor. Dhe pasojat kishin një viktimë. Nuk mund të jetë normale që një punonjës i thjeshtë i një institucioni të japë llogari për një gabim administrativ, ndërsa një vendim gjyqësor që i shkakton një individi dëm të rëndë të mos prodhojë asnjë reflektim mbi përgjegjësinë e atij që e ka dhënë. Nuk po kërkoj që gjyqtari të ndëshkohet thjesht sepse një vendim i tij është rrëzuar. Pavarësia gjyqësore duhet mbrojtur.
Por pavarësia nuk mund të shndërrohet në paprekshmëri. Kur ka shkelje të detyrës, keqbesim, neglizhencë të rëndë, abuzim apo veprim të kundërligjshëm, duhet të ekzistojë përgjegjësia përkatëse dhe mekanizmi që e kërkon atë. Sepse ndryshe krijojmë një paradoks të frikshëm.

Gjykatësi mund t’i kërkojë llogari të gjithëve, ndërsa askush nuk i kërkon llogari gjykatësit. Dhe kjo nuk është drejtësi. Është deformim i drejtësisë.

Është për të ardhur keq, madje për të ardhur turp, kur lexon vendime gjyqësore që në zbardhjen e tyre nuk bindin as juridikisht, as logjikisht; vendime ku argumenti duket sikur është ndërtuar për t’i shërbyer përfundimit dhe jo përfundimi të ketë ardhur si rezultat i argumentit. Nëse kjo ndodh, problemi nuk është vetëm te një dosje.
Problemi është te vetë perceptimi që krijohet për drejtësinë. Dhe qytetari ka të drejtë të pyesë:
Kush mban përgjegjësi?
Jo për çdo gabim njerëzor.
Jo për çdo interpretim të ndryshëm të ligjit.
Por për padrejtësinë e bërë me vetëdije, për shpërdorimin, për neglizhencën e rëndë dhe për vendimet që nuk mund të justifikohen me ligj, prova dhe arsyetim.
Prandaj, të nderuar gjyqtarë,
mos e merrni vendimin për jetën tuaj vetëm me zemër. Por, nëse vendosni të merrni një vendim gjyqësor që prek jetën e dikujt tjetër, mos e merrni kurrë me zemër.
Mos e merrni me miqësi.
Mos e merrni me presion.
Mos e merrni me interes.
Mos e merrni me xhep.
Merreni me mendje të kthjellët. Me ligj. Me prova. Me fakte. Me argument. Dhe mbi të gjitha, me ndërgjegjen se pas firmës suaj është një njeri. Sepse kur gaboni në një vendim të jetës suaj, dëmin mund ta paguani ju. Kur gaboni në një vendim gjyqësor, dëmin e paguan dikush tjetër.
Dhe pikërisht për këtë arsye: Dashuroni me zemër. Vendosni për jetën me zemër dhe mendje.
Por drejtësinë kurrë vetëm me zemër dhe xhep.
Drejtësinë jepeni me mendje të kthjellët, mbi fakte, prova, ligj dhe argument. Sepse zemra mund të gabojë.
Xhepi mund të tundojë.
Por drejtësia nuk ka të drejtë të gabojë pa përgjegjësi. A ka mundësi, a mund të bëjë vaki, që pushteti qyqësor, as zgjidhet, as votohet, as llogari nuj jep, as përgjegjsi nuk mban për veprimet e mos veprimet e tija. Se di në ka pushtet në Bot që të ketë pavarësi e të mos ketë përgjegjësi.

Share This Article