Detaje të reja kanë dalë në pah nga atentati i ndodhur në orët e para të kësaj të hëne në Patisia të Greqisë, ku një 55-vjeçar shqiptar u qëllua me plumba sapo doli nga shtëpia e tij. Newsbomb.gr ka publikuar videon e momentit të ngjarjes, ndërsa raporton se shqiptari është qëlluar për vdekje, ndryshe nga seç u tha në fillim.
Po ashtu, raportohet se ka qenë vajza e shqiptarit ajo që ka telefonuar policinë dhe e ka njoftuar për vrasjen e babait të saj. Sakaq thuhet se autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që të ketë pasur një përpjekje për të vjedhur motoçikletën e viktimës.
Bëhet me dije se autoritetet vendase po shqyrtojnë nëse motoçikleta, e cila u sekuestrua nga Policia Rrugore për t’u transportuar në laboratorët e ELAS për ekzaminim, ishte në pronësi të viktimës. Hetimet për vrasjen e shqiptarit po vijojë intensivisht për të zbuluar nëse shqiptari i pa autorët që dyshohet se do të vidhnin motorçikletën e tij, ndaj dhe autorët e maskuar dyshohet të kenë qëlluar në drejtim të shqiptarit.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka folur dhe një dëshmitar i cili ka parë nga afër ngjarjen. Në prononcimin e dhënë për Newsbomb.gr, qytetari thotë se ka parë dy autorët të cilët mbanin helmeta në kokë, duke ikur me vrap nga vendngjarja, ndërsa viktima dergjej në tokë i mbuluar nga gjaku.
“Pashë të shtënat, ato po godisnin tokën dhe ndoshta një plumb u rikoshetua. Pashë dy persona me helmeta që iknin nga vendi i ngjarjes në këmbë dhe pastaj pashë viktimën të shtrirë në tokë të mbuluar me gjak” thotë dëshmitari.
Një tjetër banor i zonës është shprehur se pak minuta para të shtënave me armë, disa persona kanë debatuar me tone të larta zëri. Papritmas u dëgjua e shtëna e parë, e vetëm 10 sekonda më pas e shtëna e radhës dhe pas 30 sekondave një tjetër.
“Dëgjuam një grup fëmijësh, rreth katër ose pesë persona. Ata po grindeshin, ziheshin dhe flisnin me zë të lartë. Pastaj u dëgjua një e shtënë. Rreth dhjetë sekonda më vonë u dëgjua një e dytë dhe pas rreth 30 sekondash një tjetër”, tha banori i zonës.
Mirëpo banori në fjalë vuri në dukje se është e mundur që të rinjtë të kenë qenë duke kaluar pranë vendngjarjes në kohën e incidentit duke ngritur dyshimet se ata nuk kanë pasur lidhje me ngjarjen. Ndërsa bëhet me dije se ka qenë vajza e 55-vjeçarit ajo që ka njoftuar policinë.
Oficerët mbërritën menjëherë në vendngjarje ku dhe kryen një kontroll e mblodhën tre gëzhoja dhe një plumb.
Po ashtu raportohet se shtëpia e 55-vjeçarit ndodhet në rrugën Themou Anninou, aty ku dhe nisi sherri. Gjaku në trotuar ndodhet afërsisht 10 metra jashtë shtëpisë së tij, ndërsa distanca nga pika e sulmit deri në këtë pikë është afërsisht 20 metra. Pritet që të kemi detaje të reja në vijim.




