Ministri: Kredi me 0% interes për policët, aplikimet të hapura deri më…

Jugulajm.net
2 Min Read

Punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore kanë mundësi të përfitojnë nga programi i qeverisë për kredi me zero për qind interes bankar për blerjen e një banese.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka bërë thirrje për aplikim për të gjithë punonjësit që plotësojnë kriteret, duke njoftuar se afati i aplikimeve është deri më 25 shtator.

Lamallari solli si shembull rastin e Xhestinës, punonjëse e Policisë së Shtetit dhe përfituese e programit, e cila tashmë ka siguruar banesën e saj.

“Nëse je pjesë e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe plotësoni kriteret përfituese – apliko dhe ti! Aplikimet janë të hapura deri më 25 shtator”, u shpreh Lamallari.

Xhestina ka shprehur mirënjohjen për këtë mundësi, duke thënë se falë programit ka siguruar shtëpinë e re ku do të vijojë jetën së bashku me fëmijët. Ajo u ka bërë thirrje edhe kolegëve të saj, veçanërisht familjeve të reja, që të aplikojnë.

Thirrja për 300 kredi me zero për qind interes u hap më 27 gusht nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Kreditë janë të dedikuara për punonjësit e administratës publike për blerjen e një banese.

Kuotat janë ndarë si më poshtë:

  • Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale – 70 kuota
  • Ministria e Mbrojtjes – 70 kuota
  • Ministria e Arsimit – 70 kuota
  • Ministria e Punëve të Brendshme – 70 kuota
  • Policia e Burgjeve/Ministria e Drejtësisë – 20 kuota
Share This Article