Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për aktivitetet e zhvilluara së fundmi në Kuç dhe Pogradec, duke i cilësuar ato si “ahengje qeveritare”.
Në një konferencë për gazetarët, Berisha tha se, ndërsa prej më shumë se tre muajsh zhvillohen protesta në Tiranë, qeveria vijon aktivitetet e saj dhe, sipas tij, është shkëputur nga realiteti dhe problemet e qytetarëve.
“Java që kaloi u mbyll me shelegët e Kuçit dhe koranin e Pogradecit. Barkderrat e shtetit nuk kanë të ngopur. Në një kohë kur prej mbi tre muajsh protestohet në rrugët e Tiranës kundër një qeverie që nuk ka legjitimitet, protestohet kundër një qeverie armike në qëndrimet e saj ndaj qytetarëve, Edi Rama ka zgjedhur ahengjet qeveritare”, tha Berisha.
Ai ironizoi aktivitetin në Kuç, duke thënë se takimi ishte zhvilluar edhe për shkak të traditës së zonës për gatimin e shelegut, ndërsa e cilësoi takimin në Pogradec si një tjetër aktivitet pa rezultate konkrete.
“Duhet ta mësoni ju se Kuçi ka shumë gjëra për të cilat është i njohur, por edhe për shelegët dhe gatimin e tyre. Dhe kjo ishte arsyeja e takimit në Kuç. Korani nuk ka nevojë për komente. Po cili ishte rezultati i këtyre takimeve? Mashtrime, mashtrime dhe vetëm mashtrime”, u shpreh ai.
Berisha ngriti pikëpyetje mbi rezultatet konkrete të mbledhjes në Pogradec dhe tha se qeveria nuk ka dhënë përgjigje për problemet e pensionistëve, nxënësve, mësuesve, pacientëve, studentëve dhe familjeve shqiptare.
“U mblodhën për të zgjidhur hallet e kombit. Çfarë solli si rezultat kjo mbledhje? Do më shkruante një mik i imi pensionist: dua ta falënderoj atë plakun që përqafoi Edi Ramën se na shpëtoi nga ulja e pensioneve. Çfarë solli? Çfarë dëgjuan nxënësit, mësuesit e këtij vendi për vitin e ri shkollor? Çfarë dëgjuan të sëmurët e Shqipërisë për shëndetin e tyre?”, tha Berisha.
Ai iu referua gjithashtu situatës ekonomike të familjeve shqiptare, duke pretenduar se një pjesë e madhe e qytetarëve përballen me vështirësi për të siguruar nevojat bazë dhe se qiratë në Tiranë përbëjnë një barrë të rëndë për familjet dhe studentët.
“Çfarë dëgjuan qytetarët shqiptarë, që në Tiranë duhet të paguajnë qira më shumë se dy të tretat e rrogës së tyre? Çfarë dëgjuan studentët, të cilët nisin vitin e ri shkollor në universitet në pamundësi për të paguar qiratë e larta, apo të rinjtë për të blerë një strehë familjare?”, u shpreh ai.
Në vijim, Berisha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për shkëputje nga realiteti dhe përdori tone të ashpra ndaj mazhorancës.
“Pra, a mund të imagjinohet një shkëputje stratosferike e tillë, e cila shpreh një shkallë stratosferike inkriminimi të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, që kalojnë nga ahengu qeveritar në aheng tjetër qeveritar dhe bëjnë sikur në Shqipëri nuk ndodh asgjë?”, deklaroi Berisha.
Ai tha gjithashtu se protesta qytetare është një zë që, sipas tij, po dëgjohet edhe jashtë Shqipërisë, duke akuzuar kryeministrin se e injoron atë.
“Sulmon me fjalë të tilla protestën, zërin e fuqishëm qytetar, të cilin po e dëgjon gjithë bota, por jo njeriu i paligjshëm”, deklaroi Berisha.




