Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes, ku humbi jetën 41-vjeçari Vasil Hasani, baba i tre fëmijëve të mitur. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor ”Shkozet-Shijak”, në Rrashbull.
Hasani po lëvizte me biçikletë dhe po kthehej nga puna kur, rreth orës 02:00, u përplas nga një automjet.
Pas aksidentit, drejtuesi i makinës është larguar nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmën e parë 41-vjeçarit, i cili mbeti i shtrirë në rrugë.
Hasani është gjetur rreth orës 06:00 nga një kalimtar, i cili ka njoftuar autoritetet. Por kur mbërritën shërbimet, 41-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Për më shumë se katër orë, babai i tre fëmijëve ka qëndruar në rrugë pas përplasjes, ndërsa drejtuesi i automjetit vijon të jetë i paidentifikuar.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të aksidentit. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa familjarët e viktimës kërkojnë që drejtësia të zbardhë rastin dhe përgjegjësi të vihet përpara ligjit.




