Hetimet për vrasjen e shtetasit portugez në Ksamil vijojnë, ndërsa në pranga kanë përfunduar Sokrat Vata dhe 12 persona të tjerë. Mes të arrestuarve është edhe një oficer i burgjeve. Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, thotë se ende nuk është zbardhur plotësisht dinamika e ngjarjes, ndërsa një nga pikëpyetjet kryesore mbetet vendi ku ka ndodhur vrasja.
”Ende është e paqartë nëse personi është vrarë brenda apo jashtë diskotekës dhe nëse trupi është nxjerrë jashtë. Duhet parë se çfarë ka ndodhur në ato ambiente”, u shpreh Softa. Ai e cilësoi veçanërisht shqetësues faktin që në ngjarje dyshohet se është përfshirë një badigard, pasi personi që duhet të garantojë sigurinë për klientët mund të jetë kthyer në pjesë të një ngjarjeje kriminale.
”Ksamili është vitrina e turizmit shqiptar. Kur krimi ndodh nga punonjësi i sigurisë, badigard që supozohet se është për ruajtjen e sigurisë, kjo e rëndon dhe më shumë situatën”, deklaroi eksperti. Ai ngriti shqetësimin për mënyrën se si përzgjidhen dhe kontrollohen badigardët që punojnë në klubet e natës.
”Duket sikur po krijohet një minirepublikë e badigardëve, klubet e natës, aktivitetet e dyshimta që mund të ketë persona që kanë qenë të përfshirë në aktivitete kriminale dhe kjo ndodh në kulmin e sezonit. Është shqetësuese”, u shpreh Softa.
Eksperti nënvizon se personat që punojnë si badigardë duhet t’i nënshtrohen kontrolleve më të plota përpara se të angazhohen në ambiente të tilla. ”Polici duhet të jetë me ligjin. Një badigard nuk mund të ushtrojë dhunë, por badigardët kur i zgjedhin nuk i shohin më nëse janë persona me precedent apo jo”, përfundoi Softa.




