Aksident pranë Malit të Tomorrit, plagosen 7 persona

Jugulajm.net
2 Min Read

Shtatë persona janë plagosur pas një aksidenti të rëndë të ndodhur pasditen e sotme në rrugën drejt Malit të Tomorrit, në fshatin Kapinovë të Beratit.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Sheshi i Danit”, në hyrje të fshatit, ku një automjet me shtatë persona në bord ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga pasi është përplasur disa herë me bordurat anësore prej betoni.

Mjeti drejtohej nga shtetasi Dritan Muço, ndërsa në automjet udhëtonin edhe gjashtë pasagjerë: Matilda Muço, Luan Muço, Drilon Muço, Desard Muço, Marko Sojati dhe Xhesika Sojati.

Të shtatë personat janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Beratit për të marrë ndihmë mjekësore. Pesë prej tyre janë larguar pas trajtimit fillestar, ndërsa drejtuesi i automjetit dhe bashkëshortja e tij janë dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, për shkak të dëmtimeve më të rënda.

Sipas hetimeve paraprake të policisë, dyshohet se aksidenti ka ardhur si pasojë e një defekti teknik në automjet.

Mjeti dyshohet se ka pësuar probleme me sistemin e frenimit gjatë ngjitjes drejt Malit të Tomorrit, duke humbur kontrollin dhe duke përfunduar jashtë rruge.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Share This Article