Nga Fejzo Subashi
Thuajse në çdo fshat të Bashkisë së Këlcyrës, të rrethit të Përmetit dhe në shumë zona të tjera të Shqipërisë, është bërë tashmë traditë që, në një ditë të veçantë të muajit Gusht, të organizohet “Takimi i Brezave”.
Por kjo traditë nuk duhet parë thjesht si një mundësi për t’u takuar, për të kujtuar të shkuarën dhe për të kaluar disa orë së bashku.
Ajo përfaqëson një mundësi shumë më të madhe: t’u japë frymëmarrje, jetë dhe shpresë fshatrave që gjatë pjesës tjetër të vitit përballen me zbrazjen dhe plakjen e popullsisë.
Më shumë se një takim brezash, kjo nismë duhet të shndërrohet në një objektiv kombëtar dhe të bëhet pjesë e programeve politike, ekonomike dhe zhvillimore të vendit, nga e gjithë klasa politike pavarësisht ngjyrës së flamurit që ka. Nuk mjafton që institucionet të marrin pjesë në këto aktivitete. Ato duhet t’i mbështesin me politika konkrete.
Qeveria duhet të lehtësojë ardhjen e emigrantëve dhe banorëve të larguar, duke investuar në infrastrukturë, rrugë, energji elektrike, ujë të pijshëm dhe shërbime publike cilësore. Ndërkohë, pushteti vendor duhet të krijojë ambiente dinjitoze për zhvillimin e këtyre festave, të mbështesë programe artistike, ekspozita, promovime të produkteve vendase, përurime dhe aktivitete kulturore që e bëjnë çdo takim një festë të identitetit lokal. Ku realiteti është ndryshe, pasi thuajse për këto evente bëhet sakrific e madhe si nga organizatorët por dhe ata që bëhen pjesmarrës. Ku sakrifikojnë kursimet e tyre për të bër rrugët. Mbledhin lek për të krijuat logjiatikën etj. Ku është për të ardhur keq ku në as një vend nuk gjenë as dorën as mbështetjen e as një niveli të pushterit. Pse jo tek tuk ka dhe pengesa arrificiale.
Sot shteti investon me të drejtë në promovimin e resurseve turistike të Shqipërisë. Por nëse do t’i organizonim dhe promovonim me profesionalizëm “Takimet e Brezave”, përfitimi do të ishte edhe më i madh. Çdo fshat do të kthehej për disa ditë në një destinacion turistik, ekonomik dhe kulturor. Do të përfitonin familjet, bizneset vendase, artizanët, fermerët dhe e gjithë ekonomia lokale.
Mbi të gjitha, këto takime krijojnë atë që nuk mund të ndërtohet me fjalime: lidhjen shpirtërore me vendlindjen. Është shumë më e vlefshme të krijosh arsye që diaspora të rikthehet çdo vit në fshatin e saj, sesa t’i kujtosh vazhdimisht detyrimin kombëtar. Kur njerëzit gjejnë rrugë të mira, shërbime dinjitoze, mikpritje dhe një komunitet të organizuar, ata nuk kthehen vetëm për një ditë feste; kthehen me dëshirën për të investuar, për të ndërtuar dhe për të mbajtur gjallë vendlindjen. Le të menaxhojmë forma, metoda dhe iniciativa që në pamje të parë duken të thjeshta, por që në të vërtetë kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e vendit. “Takimi i Brezave” nuk është vetëm një festë. Ai mund dhe duhet të shndërrohet në një urë të përhershme mes diasporës, vendlindjes dhe së ardhmes së Shqipërisë. Atdheu nuk mbahet gjallë me thirrje patriotike dhe as vetëm duke u kujtuar bijve të tij detyrimet ndaj vendit. Ai mbahet gjallë kur u krijon arsye për t’u kthyer, për të investuar, për të ndërtuar dhe për të besuar se vendlindja i pret me dinjitet.
Malli është një ndjenjë; rikthimi është fryt i politikave të mençura dhe i një shoqërie që di të mbajë pranë bijtë e saj.




