Ndryshon Kodi Doganor, lehtësohen sanksionet për bizneset dhe…

Jugulajm.net
2 Min Read

Bizneset me detyrime të papaguara në dogana pritet të kenë një kufi maksimal për kamatvonesat që mund t’u ngarkohen.

Projektligji i ri për ndryshimin e Kodit Doganor parashikon që shuma e kamatvonesës nuk mund të jetë më e lartë se vetë detyrimi i importit ose eksportit mbi të cilin ajo llogaritet.

Ky është një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë financiar për bizneset në paketën e re ligjore.

Në relacionin shoqërues, Ministria e Financave argumenton se vendosja e këtij tavani synon të lehtësojë pagesën e borxhit për debitorët dhe të krijojë një nxitje që borxhi doganor të shlyhet.

Ndryshimi nuk do të ketë efekt prapaveprues për çdo detyrim ekzistues. Projektligji përcakton se neni që vendos kufirin e kamatvonesës do të zbatohet për vendimet që autoritetet doganore marrin pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Më pak subjektivizëm

Një tjetër pjesë me rëndësi për bizneset është rishikimi i dispozitave për shkeljet doganore. Relacioni pranon se gjatë zbatimit të Kodit aktual janë evidentuar paqartësi dhe interpretime të ndryshme nga strukturat doganore dhe audituesit.

Projektligji shfuqizon disa përcaktime që ishin të parashikuara në më shumë se një dispozitë. Sipas relacionit, kjo synon të heqë mundësinë e subjektivizmit në aplikimin e sanksioneve.

Në disa nene ndryshon edhe kriteri mbi të cilin vlerësohet shkelja. Në vend të formulimit nëse shkelja “ka të bëjë me mallrat”, propozohet që të përcaktohet nëse ajo “sjell diferenca në pagesën e detyrimeve që duhen paguar”. Për kundërvajtjet e tjera, rastet ndahen më qartë në shkelje me efekt financiar dhe pa efekt financiar.

Kodi përcakton gjithashtu se sanksionet për mosrespektimin e legjislacionit doganor duhet të jenë “efektive, proporcionale dhe dekurajuese”. Sanksioni administrativ mund të jetë pagesë monetare, ndërsa në raste të tjera mund të përfshijë revokimin, pezullimin ose ndryshimin e një autorizimi të mbajtur nga subjekti.

Burimi: “Monitor”

Share This Article