Greqi, nënë e bir shqiptarë u përplasën me kamionin dhe humbën jetën, eksperti hedh dritë mbi aksidentin

Jugulajm.net
3 Min Read

Komuniteti i Serres në Greqi vijon të jetë i tronditur nga aksidenti tragjik rrugor në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, ku humbën jetën një nënë 43-vjeçare dhe djali i saj 21-vjeçar shqiptar. Ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e përplasjes fatale me një kamion, eksperti i sigurisë rrugore Panagiotis Stamiris ka dhënë një analizë të pamjeve të aksidentit, duke ngritur dyshime se përveç shpejtësisë mund të ketë ndikuar edhe një shpërqendrim i drejtuesit të automjetit.

Duke folur për televizionin ERT, Stamiris tha se makina që drejtohej nga 24-vjeçari mund të ketë lëvizur me një shpejtësi më të lartë se kufiri i lejuar për atë segment rruge. Megjithatë, sipas tij, vetëm shpejtësia nuk duket të jetë arsyeja e vetme e humbjes së kontrollit. “Automjeti devijon shumë përpara pikës së përplasjes dhe mënyra se si largohet nga korsia tregon se nuk bëhet fjalë vetëm për një devijim të shkaktuar nga shpejtësia. Mund të ketë pasur një shpërqendrim, ndoshta përdorim telefoni apo diçka tjetër”, u shpreh eksperti.

Sipas analizës së tij, drejtuesi i mjetit nuk ka reaguar në kohë pasi makina ka kaluar në korsinë e kundërt. “Që nga momenti kur automjeti fillon të largohet nga korsia e tij, shoferi kishte mundësi ta korrigjonte drejtimin. Por ai vazhdon për disa metra në korsinë e trafikut përballë dhe vetëm më pas përpiqet të kthehet”, tha Stamiris.

Eksperti vlerësoi se automjeti mund të ketë qenë duke lëvizur me një shpejtësi mbi 70–80 km/orë, bazuar në pamjet dhe dëshminë e një drejtuesi tjetër në rrugë. “Shpejtësia ishte e rritur dhe besoj se ishte mbi kufirin e lejuar. Kur një automjet kalon shpejtësinë kritike në një kthesë, mund të humbasë kontrollin dhe të devijojë”, shpjegoi ai.
Megjithatë, Stamiris theksoi se reagimi i vonuar i drejtuesit mbetet një nga elementët më të rëndësishëm për t’u hetuar.

“Skenari mund të jetë që ai e ka kuptuar me vonesë çfarë po ndodhte, ose për shkak të mungesës së përvojës nuk ka arritur ta vlerësojë siç duhet situatën”, përfundoi eksperti. Aksidenti i rëndë i mori jetën 43-vjeçares dhe djalit të saj 21-vjeçar, duke shkaktuar tronditje të madhe në zonën e Serres.

Share This Article