Katërmbëdhjetë vatra zjarri janë raportuar në 10 orët e fundit në zona të ndryshme të vendit, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes.
Për përballimin e situatës janë angazhuar forca të emergjencave civile dhe të Forcave të Armatosura. Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve po marrin pjesë 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të FA-së, një helikopter dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Situata më kritike paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan të bashkisë Mallakastër, ku zjarri ka marrë përmasa dhe po punohet për të parandaluar afrimin e flakëve drejt zonave të banuara. Në këtë operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 punonjës të shërbimeve vendore, 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe avioni “Air Tractor”.
Ndërkohë, në zonën e Dajtit vijon ndërhyrja për shuarjen e zjarrit, ku po punojnë forcat e MZSH-së, Administrata e Zonave të Mbrojtura, 50 efektivë të FA-së dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun e Elbasanit vijojnë operacionet në zonat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarret në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për banorët.
Në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, flakët kanë kaluar në majën e malit dhe kanë rritur intensitetin brenda një zone të mbrojtur, por edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Penkovë të Selenicës zjarri është shuar plotësisht, pasi përfshiu rreth 2 hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura. Ndërkohë, në Gumenicë vijon puna për një vatër me shkurre, ndërsa në Vërzhezhë të Skraparit situata është vënë nën kontroll.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.




