Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një 33-vjeçari shqiptar në Itali. Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së martës, 4 gusht, në zonën e Pistoias.
Viktima është identifikuar si Maksim Sinani, banor i Altopascio, i cili humbi jetën në spital gjatë natës, për shkak të plagëve të rënda të marra nga përplasja.
Aksidenti ndodhi rreth orës 19:30, në kodrat e Pistoias, përgjatë rrugës SS64, pranë fshatit Spedaletto, pas tunelit dhe në afërsi të liqenit Specchio.
Sipas mediave italiane, Sinani po udhëtonte me një Kawasaki Z1000, së bashku me një grup të vogël motoçiklistësh, kur u përplas me një Volkswagen Tiguan që po lëvizte në drejtim të kundërt.
Përplasja ishte e fortë dhe 33-vjeçari mbeti i plagosur rëndë. Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe e transportuan atë drejt spitalit, por gjendja e tij ishte kritike.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Sinani ndërroi jetë gjatë orëve të natës.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në përplasjen fatale.




