Reforma Zgjedhore, deputeti Shehu: Shqipëria po shkon drejt një ‘sulltanati të madh’

Jugulajm.net
7 Min Read

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, u shpreh në një interviste se ulja e numrit të bashkive është një tjetër tentativë për centralizimin e pushtetit nga qeveria Rama.

Ai theksoi se kjo reformë po bëhet pa pyetur komunitetet dhe po dëmton identitetin, historinë dhe autonominë e njësive vendore.

Shehu deklaroi se qëllimi i mazhorancës është përdorimi politik i reformës territoriale dhe i njësive vendore, duke paralajmëruar se Shqipëria po shkon drejt një modeli ku pushteti qendror kontrollon gjithçka.

“Po shkojmë drejt një situate ku kemi vetëm një sulltanat të madh, pa asnjë autonomi”, tha deputeti demokrat.

Pjesë nga intervista:

Gjëmat e tyre që do bënin në materialin konkret. Materiali konkret i publikuar, i cili doli në emër të disa deputetëve dhe një absurditeti të tërë ky, krejtësisht i paimagjinueshëm, kërkon të ulë numrin e bashkive ndjeshëm, me 15 të tilla.

Po. Dhe kjo bëhet absolutisht duke shkatërruar bashki të tjera, duke prishur atë oqean të identitetit të komunitetit, në kundërshtim me interesat e komunitetit dhe pa pyetur fare komunitetet.

Në një kohë kur direktivat kryesore të Bashkimit Evropian dhe rregullat e Bashkimit Evropian janë që të tilla ndarje, apo shpërbërje administrative, apo ndryshime administrative, nuk mund të bëhen pa pyetur komunitetin, pa dialoguar me të dhe pa bërë edhe referendume lokale në miratimin e tyre.

Pra, kemi një veprim krejtësisht arbitrar, krejtësisht antidemokratik, krejtësisht në kundërshtim me parimet e Bashkimit Evropian. Kemi një veprim i cili, realisht, në këtë mënyrë vetëm sa dëmton akoma më shumë komunitetet, historitë e tyre, kulturën, vlerat, rolin e tyre, por dhe shërbimin ndaj tyre prej pushtetit lokal, duke larguar pushtetin lokal krejtësisht gjithmonë e më shumë nga komunitetet dhe duke e centralizuar atë gjithmonë e më tepër në lidhje me pushtetin qendror.

Pra, qëllimi është për mua i qartë: është koncepti i centralizimit të thellë që vazhdon dhe, e dyta, e përdorimit politik të njësive vendore dhe të reformës zgjedhore në funksion të zgjedhjeve të ardhshme lokale që do të vijnë në Shqipëri.

Me historinë, me vlerat, me përfaqësimin dhe me shumë elementë të tjerë. Lidhet dhe me një gjë tjetër: me demokracinë që çdo komunitet duhet të vendosë vetë.

Unë marr për shembull Italinë. Italia ka 58-60 milionë banorë. Italia ka rreth 7200 komuna. Komunat janë, në Itali, bashki, se çdo bashki është një komunë. Quhen bashki, quhen komuna, la stessa cosa është, po. Municipi, ose këto bashki konsiderohen njësi bashkiake brenda komunave të mëdha, pra brenda bashkive të mëdha.

Pra, ka 7200. Dhe fillojnë, ka që me 50 banorë, vihen me 36 banorë, me 500, 1000, 1200, deri tek miliona banorë që janë bashkitë, apo komunat e Romës, Milanit, Torinos e të tjerë me radhë.

Por ama, asnjë nuk thotë të jenë prishur, të jenë shkatërruar. Thuhet, përkundrazi, duhet të gjejmë një mënyrë për t’i mbështetur. Duhet të gjejmë një mënyrë për të krijuar një bashkëpunim midis tyre kur janë shumë të vogla, në shërbime ndaj komunitetit, në shkolla, në shëndetësi e të tjerë me radhë.

Pse? Sepse gjithsecila nga këto ka një histori të sajën. Ka një kulturë të sajën. Ka një individualitet të sajën.

Dhe për t’i prishur, duhet të bësh referendume, qoftë referendume brenda tyre, qoftë edhe referendume në hapësirën ku bashkohen.

Pra, në këtë mënyrë bllokohet, sepse janë veprime që lidhen me respektimin e autonomisë vendore.

Në Shqipëri bëhet e kundërta. Në Shqipëri ne kishim 300 e ca komuna dhe bashki përpara. I prishëm, e bëmë 61-sh, i bëmë çorbë.

Jo vetëm që i shkatërruam identitetet që ishin krijuar edhe në shekuj, jo vetëm që e larguam qytetarin nga shërbimet, por vështirësuam edhe, edhe, edhe shpenzimet financiare. Absolutisht janë shtuar.

Tashi kërkohet të bëhen, të ulen edhe 15 të tjera. Të jeni të bindur që këto gjëra do të shkojnë duke i keqësuar akoma më shumë situatat.

Dhe kjo tregon absolutisht shpërfilljen e pa… shpërfilljen e plotë të regjimit të Ramës, i cili mendon dhe thotë që: “Bota fillon me mua”, dhe absolutisht nuk ka asnjë koncept për të respektuar ato vlera, ato histori dhe ato elementë mbi të cilat është bazuar komuniteti edhe hapësirat vendore, të cilat janë thelbësore në demokraci, të domosdoshme.

Dhe janë baza e zhvillimit të lirisë, ekonomisë dhe demokracisë së një vendi.

Pushteti vendor, e parathëna e punës… pushteti vendor kërkohet t’i lihet sa më pak, sepse është koncepti marksist i centralizimit.

Ti shiko, nuk i lihet asgjë në shëndetësi, nuk i lihet asgjë në arsim, që janë dy kolona thelbësore të pushtetit vendor, të njësisë vendore.

Nuk i lihet asgjë, i prishen, i intervenohet edhe në probleme të tjera edhe më të thjeshta dhe teknike, siç janë ujësjellësat, kanalizimet.

Pra, kërkohet të minimizohet sa më shumë aktiviteti i pushtetit vendor dhe tani, goditje akoma më e fortë, ulet numri i tyre.

Po mirë, po kështu, po të vazhdojmë, të jeni të bindur… Hajde të shkojmë në një nivel tjetër. Le të shkojmë Shqipëria, një komunë, një bashki!

Edhe Sulltanët nuk e kanë bërë këtë punë. Edhe Sulltanët e ruanin autonominë vendore.

Shiko, Perandorinë Otomane, kishe vilajetet, kishte autonominë, kishte shkollat, kishte kompetencat. Kurse këtu po shkojmë drejt një situate ku kemi vetëm një sulltanat të madh, pa asnjë autonomi, autonomi nën këtë.

Dhe kjo është e keqja më e madhe që tregon pikërisht shpirtin, mentalitetin antidemokratik, përbuzjen ndaj qytetarëve që ka ky regjim.

Dhe kjo është thelbi i asaj që na ndan pastaj edhe nga parimet evropiane dhe të demokracisë, edhe nga bota perëndimore dhe nga të gjithë elementët ku ne do të shkojmë.

Share This Article